Partia Demokratike e Turqve të Maqedonisë njoftoi se në zgjedhjet e ardhshme lokale më 19 tetor do të marrë pjesë e vetme, me kandidatët e saj për këshilltarë dhe kryetarë komunash në komunat me popullatë kryesisht turke.
Vendimi, siç thekson partia, është marrë pas konsultimeve të gjata dhe të thelluara me anëtarët, organet dhe qytetarët, ndërsa Këshilli Qendror Drejtues dhe Kuvendi Qendror e kanë miratuar atë njëzëri.
“Për ne, këto zgjedhje nuk janë një garë e zakonshme për vende këshilltarësh – ato janë një betejë për përfaqësim dinjitoz, të qartë dhe efektiv të komunitetit turk,” deklaruan nga partia e udhëhequr nga Zulfiqar Zejnula.
Në përputhje me vullnetin e elektoratit të tyre, partia ka vendosur gjithashtu të largohet nga koalicioni “Fronti Europian”. Siç theksojnë, me këtë veprim e forcojnë pozicionin e tyre të pavarur politik dhe e konfirmojnë vendosmërinë për t’i shërbyer drejtpërdrejt popullit, pa ndërmjetës dhe pa kompromise.
Listat e kandidatëve për këshilltarë do të hartohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me qytetarët.