Me formimin e Komisionit për selektim në Kuvend, ka nisur procedura për zgjedhjen e kryetarit të ri të Komisionit për Antikorrupsion, pas dorëheqjes së Tatjana Dimitrovskës. Pos deputetëve, në komision edhe përfaqësues të OJQ-ve. Nuk dihet se kandidatë kanë aplikuar për këtë pozitë.
“Pas dorëheqjes së Tatjana Dimitrovskës nga funksioni kryetare e Antikorrupsionit tani Kuvendi ka filluar procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri. Komisioni për zgjedhje dhe emërime në Kuvend ka formuar një komision prej shtatë anëtarësh të cilët do të duhet që të shqyrtojnë aplikimet e të gjithë kandidatëve të cilët do të duhet të zëvendësojnë Dimitrovskën në krye të Antikorrupsionit”, raporton Zekirija Haxhiu – Gazetar.
Anëtarët e komisionit për selektim janë Ylber Rufati, zv.avokat populli, Darko Avramovski dhe Bardhyl Jashari anëtarë të këshillit për bashkëpunim mes Qeverisë dhe shoqërisë civile, si dhe katër deputetë. Bëhet fjalë për Bojan Stojanovskin dhe Saranda Imeri Stafai nga shumica parlamentare dhe Mitko Trajçuleski e Arbana Pasholli nga opozita.
Kryetari i komisionit për zgjedhje dhe emërime ka kërkuar mendim nga Komisioni për Parandalim të Korrupsionit nëse nevojitet procedurë urgjente për zgjedhjen e kryetarit të ri por nga atje janë përgjigjur se nuk janë kompetent për të dhënë një përgjigje të tillë. Për këtë shkak, edhe komisioni për selektim do të vazhdojë me punë pas zgjedhjeve lokale. Kjo në fakt do të thotë se Antikorrupsioni nuk do të bëhet me kryetar të ri, së paku deri më 3 nëntor.
“Duhet të respektohen ndalesat nga neni 8-a dhe 8-b nga kodi zgjedhor dhe neni 34 nga ligji për parandalim të korrupsionit dhe përplasje të interesave me çka veprimi është në përgjegjësi të personave përgjegjës të subjekteve. Me këtë si komision duam t’u themi anëtarëve të komisionit për selektim se puna e saj do të vazhdojë pasi të përfundojnë zgjedhjet më 3 nëntor”, tha Gjorgjija Sajkoski – Kryetar i komisionit.
Dimitrovksa dha dorëheqje më 25 korrik, pasi Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar ngriti aktakuzë për dy vepra penale edhe atë për dhënien e sekreteve zyrtare ish-drejtorit të TEC Negotinë, Nebojsha Stojanoviq, i akuzuar në “Aditivë”, dhe për falsifikim kompjuterik sepse auditori nga Enti Shtetëror për Revizion, në emrin e saj ka kaluar testin e trajnimit të sigurisë. /Alsat.mk