Diplomojnë 107 oficerë doganorë

3 Min. Leximi

Në 26-vjetorin e themelimit të Doganës së Kosovës, kanë diplomuar 107 oficerë doganorë.

Në një ceremoni solemne të organizuar për këtë rast, u vlerësua lart puna dhe kontributi i Doganës si një ndër institucionet kyçe të vendit, jo vetëm në aspektin fiskal, por edhe si mekanizëm i domosdoshëm për sigurinë ekonomike dhe mbrojtjen e rendit ligjor.

- Advertisement -

Në një fjalë rasti, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se Dogana e Kosovës, gjatë 26 vjetëve të funksionimit të saj, ka shërbyer përtej rolit të saj fiskal. Ai ka shtuar se dogana është shndërruar në një shtyllë themelore të sovranitetit shtetëror dhe në një instrument të rëndësishëm për mbrojtjen ekonomike të vendit. Ai e përshkroi këtë institucion si vijën e parë të mbrojtjes kundër kontrabandës, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

- Advertisement -

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e cilësoi shërbimin ndaj shtetit si ndër detyrat më fisnike, duke përkujtuar sakrificat e brezave të tërë për lirinë dhe ndërtimin e vendit.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu tha se kjo ditë është e rëndësishme sepse përkon me 26-vjetorin e themelimit të Doganës dhe diplomimin e kadetëve të rinj. Ai theksoi se kjo është një mundësi për të reflektuar mbi punën dhe sfidat e institucionit ndër vite.

Llugaliu veçoi Mitrovicën e Veriut si zonë që ka qenë sfiduese deri së fundmi, por shtoi se tani është rikthyer funksionimi i plotë i shtetit edhe atje. Ai bëri të ditur se që nga themelimi, Dogana ka mbledhur rreth 22 miliardë euro për buxhetin e shtetit, ndërsa këtë vit pritet të tejkalohen 2 miliardë euro të hyra.

Ndërkaq, në një fjalë rasti zëvendësshefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova theksoi mbështetjen e vazhdueshme që BE-ja i ka ofruar institucioneve doganore që nga viti 1999.

E përfaqësuesja e gjeneratës së re të diplomimit të oficerëve doganorë, Shkurta Hajredini tha se për të gjithë kadetët, kjo ditë nuk është vetëm përmbyllje e një trajnimi, por një fillim i ri dhe një vendim i rëndësishëm për jetën e tyre.

Oficerët doganorë u pajisen me certifikata për kryerjen e trajnimit për t’u bërë pjesë e Doganës së Kosovës.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull