Deputeti i VLEN-it, Bekim Sali, ka njoftuar se sot ka nisur ndërtimi i një pishine të re në Lagjen Fushë Topanë të Çairit, e cila do t’u shërbejë nxënësve për mësim noti, ushtrime, gara dhe rekreacion.
“Shtatori do të nis ndryshe për nxënësit në Lagjen Fushë Topanë të Çairit. Aty sot ka nisur që të realizohet ndërtimi i një pishine të re, e cila do t’i shërbejë nxënësve të shkollave për mësim noti, ushtrime, gara, rekreacion, etj.”, ka shkruar Sali.
Ai tha se bashkë me kandidatin e VLEN-it për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, kanë inspektuar punimet në terren.
Sipas tij, “projekti kap vlerën prej 1 milion eurove dhe ka një sipërfaqe prej 620 m² dhe thellësi nga 80 cm deri në 1.30 metra, objekti po realizohet me themel betoni të armuar, strukturë moderne prej çeliku, sipas standardeve më të larta të sigurisë e cilësisë”.