Çairi po përfiton një nga investimet më të mëdha infrastrukturore të viteve të fundit. Rreth 1 milion euro janë vënë në dispozicion për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, kanalizimit atmosferik dhe fekal në lagjen Saat Kullë – një zonë që prej kohësh ishte lënë pas dore nga qeveritë e kaluara.
Ky projekt i rëndësishëm kap vlerën e afro 1 milion eurove dhe mbulon nëntë rrugë: rrugët 157, 397, 2, 1, 178, 156, 374, 150 dhe 177, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së mbi 2000 banorëve të kësaj ane të Çairit.
“Jo premtime, jo vetëm foto, por vepra konkrete që ndihen dhe shihen çdo ditë. Ne investojmë aty ku ka pasur nevojë prej vitesh,” – deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, i cili vizitoi nga afër punimet në terren.
Ai theksoi se çdo ditë është pranë qytetarëve dhe dëgjon nga afër hallet dhe nevojat e tyre, duke shtuar:
“Çairi meriton dinjitet dhe zhvillim. Më shumë punë, më pak zhurmë!”
Ky projekt i ndërlidhur me përmirësimin e infrastrukturës bazike është një dëshmi konkrete e kthimit të vëmendjes aty ku ka munguar për vite me radhë – në vendbanimet e harruara të qytetit që kërkojnë zgjidhje reale dhe të qëndrueshme.