Shumë vite kanë kaluar në të cilat jemi detyruar të ngremë zërin për të drejtat e personave me nevoja të veçanta, por për fat të keq, zëri ynë vazhdon të hasë në veshë të shurdhër. Kështu e nis thirrjen publike kryetari i organizatës SOS VITA, Artan Shakiri drejtuar kandidatëve për komunat, veçanërisht për Komunën e Çairit.
Thirrja e plotë e kryetarit të organizatës SOS VITA:
Të nderuar kandidatë për komunat,
Shumë vite kanë kaluar në të cilat jemi detyruar të ngremë zërin për të drejtat e personave me nevoja të veçanta, por për fat të keq, zëri ynë vazhdon të hasë në veshë të shurdhër. Është koha që kjo kategori qytetarësh të mos trajtohet vetëm në prag të zgjedhjeve apo një herë në vit për qëllime simbolike, por të shihet dhe respektohet në vazhdimësi, si pjesë aktive dhe e barabartë e shoqërisë. Ato kohëra kur personat me nevoja të veçanta anashkaloheshin, duhet të jenë pjesë e së kaluarës.
Shoqata jonë, SOS Vita Shkup, me mbi 450 anëtarë, është njëra ndër shoqatat më aktive në Maqedoni në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të kësaj kategorie.
U bëjmë thirrje të gjithë kandidatëve – pa dallim partie që t’i kushtojnë vëmendjen e duhur shoqatave aktive dhe të punojnë për përfshirjen reale të personave me nevoja të veçanta.
Nëse kjo kategori vazhdon të neglizhohet dhe të mbetet jashtë planeve konkrete të zhvillimit lokal, atëherë ne – së bashku me prindërit dhe familjarët e këtyre personave – do të bojkotojmë pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale.
Kërkojmë nga të gjithë kandidatët që të na dëgjojnë para zgjedhjeve, jo vetëm gjatë fushatave. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një shoqëri vërtet të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.