Kryetari i degës së Aleancës për ShqiptarëtArsim Hasani me një qëndrim të ashpër ndaj Arben Taravarit: “Aleanca është me Ziadin Selen, jo me tradhtarët që tentuan puç dhe iu bashkuan BDI-së që e quajtën kriminele.”
Nëpërmjet një reagimi publik, Arsim Hasani ka drejtuar akuza të rënda ndaj Arben Taravarit, duke e quajtur atë tradhtar politik, që ka braktisur interesin e shqiptarëve për pazare personale me strukturat që dikur i akuzonte për krim dhe kapje të shtetit.
“Ziadin Sela është dhe mbetet një lider i pakompromis, që gjithmonë ka vënë interesin e shqiptarëve mbi çdo interes personal apo partiak,” shkruan Hasani. Ai rikujton se pikërisht Sela ishte ai që kërkoi bashkëpunim kombëtar për të mbrojtur shqiptarët nga diskriminimi dhe përjashtimi institucional, gjë që Taravari e quajti “tradhti”.
Ndërkohë, sipas Hasanit, vetë Taravari në prapaskenë ndërtonte pazare përçarjeje, e në fund u largua nga partia vetëm për të shpëtuar karrierën e vet politike.
Në këtë reagim të fuqishëm përmendet edhe një tentativë e Taravarit për puç në degën e Kumanovës, përmes një “kuvendi dege” jo legjitim, pa shumicë dhe me figura që për vite kanë punuar kundër Aleancës. “Në atë farsë, emëroi një ‘kryetar’ dege dhe më pas edhe një ‘nënkryetar’ partie që njihet për veprimtari sabotuese,” thekson Hasani.
Më tej, ai kritikon edhe tentativën aktuale të Taravarit për t’iu bashkuar Frontit Europian së bashku me BDI-në, për të cilën më herët shprehej se ishte e kapur nga pushteti dhe autor i krimit politik.
“Populli nuk harroi. Ne asnjëherë nuk do ta harrojmë. Aleanca për Shqiptarët është e bashkuar. Dega e Kumanovës qëndron legjitime dhe e palëkundur.”
Hasani shpreh mbështetje të fuqishme për aktivistët e sinqertë që janë mashtruar gjatë kësaj periudhe, por thekson se Taravari dhe udhëheqësia e tij nuk kanë më vend në Aleancë dhe as në Frontin Europian.
Në fund, ai përmbyll mesazhin me një deklaratë të qartë politike:
“Bashkëpunimi me Taravarin dhe rrethin e tij do ta njolloste edhe vetë Frontin Europian. Ai e ka humbur besimin politik dhe moral. Çfarëdo aleance që e përfshin atë, e diskrediton veten.”