Prokuroria me aktakuzë kundër dy sulmuesve të ekipit të Alsat

3 Min. Leximi

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave që ngarkohen se, si bashkëkryerës, kanë kryer veprën penale – Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, sipas nenit 382 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 2 dhe 1 të Kodit Penal.

“Më 9 korrik, pranë një pike grumbullimi për hekur të vjetër në rrugën “Indira Gandi” në Shkup, të akuzuarit – një burrë dhe një grua – me forcë kanë penguar gazetarin dhe kameramanin e televizionit Alsat M gjatë kryerjes së detyrës së tyre, duke raportuar për një zjarr të ndodhur në deponinë në Vizbeg. Gazetari dhe kameramani, të pajisur me bexha të televizionit, kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të xhiruar materialin, por të dy të akuzuarit fillimisht u kanë thënë se nuk kanë leje për të xhiruar pasi bëhej fjalë për pronë private në pronësi të tyre. Kur ekipi gazetaresk ka vazhduar punën, gruaja e akuzuar ka sulmuar fizikisht kameramanin, duke e goditur me shkelm dhe grusht, e ka kapur për fyti, ka përmbysur dhe dëmtuar kamerën. Gazetari ka ndërhyrë për ta mbrojtur kameramanin dhe pajisjet dhe ka nisur të filmojë me telefonin e tij. Gruaja më pas e ka goditur edhe atë me shkelm, i ka rrëzuar telefonin dhe ia ka marrë. Në atë moment ka ndërhyrë edhe i akuzuari tjetër, i cili me kërcënime dhe fyerje e ka goditur gazetarin me shuplakë dhe e ka dëbuar nga vendi”, shpjegon Prokuroria.

- Advertisement -

Prokurori publik ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Penale Shkup edhe kërkesën për vazhdimin e masave paraprake – paraburgim për të akuzuarin dhe arrest shtëpiak për të akuzuarën.

“Ndërkohë, po vazhdon edhe procedura parahetimore lidhur me zjarrin në deponi dhe pasojat e tij. Prokurori kompetent ka kryer sërish ekspertizë në vendin e ngjarjes që është i siguruar. Në Prokurorinë Themelore Publike Shkup janë dorëzuar edhe rezultatet e matjes së substancave toksike në ajër në Shkup pas zjarrit, të kryera nga një ekip i njësisë për mbrojtje bërthamore, biologjike dhe kimike të ARM-së me kërkesë të prokurorit. Këto rezultate janë duke u analizuar, ndërsa ndërmerren edhe veprime të tjera për të shqyrtuar të gjitha dyshimet për ndonjë vepër penale të mundshme dhe rrezikim të mjedisit nga substancat e mbetjeve”, njofton Prokuroria Themelore e Shkupit.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull