Prokuroria Themelore Publike Shkup hapi procedurë parahetimore për dyshime për ndotje të mjedisit jetësor me mbetje të rrezikshme pas zjarrit që ndodhi në Vizbeg. Prej atje thonë se në procedurë janë përfshirë ekspertë nga disa fusha dhe janë siguruar pamje filmike të cilat janë objekt analize, transmeton Portalb.mk.
“Kontroll kryen edhe shërbimet inspektuese për mjedisin jetësor, ndërsa në procedurë janë angazhuar edhe ekspertë nga fusha e ekologjisë. Me kërkesë të prokurorit publik, menjëherë pas ngjarjes u aktivizua edhe ekipi i njësisë për mbrojtje atomike, biologjike dhe kimike i ARM-së, i cili mori mostra dhe kreu matje të substancave toksike në ajrin e Shkupit. Rezultatet do t’i dorëzohen prokurorisë”, thonë nga Prokuroria.
Po ashtu, informojnë se dy personat që pas zjarrit sulmuan një ekip gazetaresk vazhdojnë të jenë në paraburgim dhe është siguruar dokumentacioni i lidhur me punën me mbeturinat.
Mbeturinat e hekurit të vjetër, siç informuan më herët nga MPB, janë të regjistruara në emër të firmës “ASD Metal Group”, ndërsa gjatë shuarjes së zjarrit është lënduar një person, i cili menjëherë është dërguar për ndihmë mjekësore.
Kujtojmë se, më 9 korrik në Vizbeg- Shkup, në një deponi të egër me hekur të vjetëruar shpërtheu një zjarr i madh, që shqetësoi kryeqytetin me rrethinë, ku mezi shpëtuan edhe disa prona private. Pronari i depos, ku po digjeshin automjete të shkatërruara me pajisje gazi, sulmoi një ekip gazetarësh të cilët po incizonin flakën që kishte nisur të shpërndahet me të madhe.