“Votimi i fshehtë mund të prodhojë befasi”/ A po thyen Bekë Berisha frontin e ish-opozitës?

2 Min. Leximi

Dje (e hënë, 7 korrik) ka dështuar për herë të 43-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Sikurse edhe herëve paraprake, ish-opozita refuzoi të marrë pjesë në procesin e formimit të komisionit për votim të fshehtë, për kandidaturën e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit të Kosovës.

LDK, PDK dhe AAK, në parim, janë kundër kandidaturës së Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit, megjithatë mes deputetëve ka edhe qëndrime ndryshe.

- Advertisement -

Ishte deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ai që propozoi që të “lirohet pe” sa i përket Albulena Haxhiut.

Sipas tij, është mirë të gjendet një formë për ta larguar Albin Kurtin nga pushteti.

“Ja kisha dhënë këtij këtë fitore që është duke e kërkuar. Le ta bëjë Kuvendin, le ta vendosë Albulenën, se as këta tjerët nuk janë më të mirë se ajo; me ia votuar qeverinë dhe le të marrë fitoren, betejën e Kosovës le ta fitojë, le të thotë që ka fituar, që t’ia shkurtojmë Kosovës vuajtjet me këtë lloj njerëzish që kanë ardhur në pushtet. Rrezikojmë të humbim shtetin me ta, nuk merr vesh askush,” tha ndër të tjera Berisha.

Publicisti Zejnullah Jakupi e ka konsideruar si “lëvizje pragmatike” propozimin e Berishës, bazuar në krizën e thellë politike që është krijuar.

- Advertisement -

“Qëndrimi i deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, që u bën thirrje partive të ish-opozitës të ‘lëshojnë pe’ dhe të lejojnë formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaturën e Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit, është një lëvizje pragmatike që reflekton frustrimin me bllokimin e gjatë institucional. Pas 43 tentimeve të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit, është e kuptueshme që disa aktorë politikë janë të gatshëm të bëjnë kompromise për të shmangur një krizë më të thellë politike dhe kushtetuese,” ka thënë ai.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull