Qeveria VLEN ka filluar mobilizimin e institucioneve në përgatitje për zbatimin e Ligjit të ri për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, pasi e miratuan ligjin në qeveri javën e kaluar. Zv/kryeministri Arben Fetai e takoi dje zv/drejtorit e Agjencisë së Administratës, Muhamed Krasniqi, për t’u njoftuar me kapacitetet e Agjencisë e cila duhet ta zbatojë ligjin në praktikë.
“Ne po vijojmë me përkushtim të plotë t’i përgatisim institucionet për realitetin e ri sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve në administratë. Duke filluar me këtë takim dhe çdo ditë, çdo moment, në çdo institucion ne do të përcjellim mbarëvajtjen e procesit”, publikoi Fetai pas takimit.
Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili e zëvendëson mekanizmin e Balancuesit, shpesh i keqpërdorur e joefikas, synon ta korrigjojë padrejtësinë e dy dekadave ndaj përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, përkundër garantimit të këtij parimi me Marrëveshjen e Ohrit.
Një institucion i lënë pas dore, tani në qendër të vëmendjes
Agjencia e Administratës e ka barrën juridike dhe administrative për ta zbatuar parimin e përfaqësimit të drejtë në praktikë, por, siç u tha në takimin e djeshëm, ky institucion është lënë në gjendje të palakmueshme dhe pa vëmendjen që meriton nga pushteti i BDI-së.
Zv/kryeministri Fetai tha se si Qeveri do ta ndihmojnë fuqizimin e këtij institucioni, krejt me qëllim që ligji mos të mbetet font i shtypur në letër, por të kthehet në realitet të ri shoqëror që i fuqizon shqiptarët.
Përveç me Agjencinë, bartësit e përgjegjësisë për palën shqiptare në këtë qeveri, do të duhej të siguronin që secili përfaqësues shqiptarë në institucione, sidomos ata që kanë marrë përgjegjësi drejtimi, ta bëjë detyrën e tyre për ta çuar para këtë proces. Sado i mirë të jetë ligji, asnjë e drejtë nuk fitohet pa betejë institucionale.
Fetai dhe Mexhiti në krye të detyrës
Menjëherë pas heqjes së Balancuesit nga Gjykata Kushtetuese koalicioni VLEN autorizoi dy zëvendëskryeministrat e saj, Arben Fetain dhe Izet Mexhitin, që të marrin përgjegjësinë politike për hartimin e një ligji të ri gjithëpërfshirës dhe të zbatueshëm.
“Kujtoj që ka për qëllim blerje kohe. Kjo është çështje e menaxhimit të presionit publik”, thonte Bujar Osmani i BDI-së kur Fetai fliste për zgjidhje ligjore.
Megjithatë, përkundër mosbesimit dhe nihilizmit opozitar, Ligji për Përfaqësim të Drejtë u bë.
Iluzioni që nuk u realizua kurrë…
23 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore akoma nuk reflekton realitetin etnik të Maqedonisë së Veriut sipas regjistrimit. Raporti i fundit i Avokatit të Popullit flet për përfaqësim të shqiptarëve prej 21,7% me rritje prej vetëm 0,4% nga viti paraprak.
Në shumë ministri madje shqiptarët nuk kalojnë 17-18%, duke dëshmuar qartë dështimin e plotë të Balancuesit si mekanizëm.
Për shpërfilljen e shqiptarëve flet edhe statistika e përfaqësimit në vende udhëheqëse të punës, ku përfaqësimi është edhe më i dobët, me vetëm 18% në nivel shteti.
Ky ligj, të cilin VLEN-i po e cilëson si “historik”, ka pikërisht këtë qëllim: që përfaqësimi i shqiptarëve të mos varet nga disponimi i ndonjë ministri apo drejtori maqedonas, por të garantojë zbatim dhe respektim me Fuqinë e Ligjit.