Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzati, ka denoncuar publikisht diskriminimin e vazhdueshëm institucional ndaj shqiptarëve në Qytetin e Shkupit. Sipas të dhënave të publikuara nga Avokati i Popullit për vitin 2024, në Muzeun e Qytetit të Shkupit, një nga tetë institucionet publike nën ingerenca të Qytetit – nga 39 të punësuar, asnjë nuk është shqiptar.
Ky institucion, i cili financohet edhe nga taksapaguesit shqiptarë që përbëjnë rreth 23% të popullsisë së qytetit, vazhdon të injorojë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Nëse ky parim do të zbatohej, në këtë muze do të duhej të ishin të punësuar të paktën 9 shqiptarë.
“Kjo është dëshmi e qartë se edhe pas më shumë se 24 vitesh nga Marrëveshja e Ohrit, diskriminimi ndaj shqiptarëve në punësim mbetet realitet i hidhur në institucionet publike të qytetit,” deklaroi Nevzati.