Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka shprehur shqetësim të thellë për sulmin e SHBA-së ndaj centraleve bërthamore të Iranit, si dhe ka paralajmëruar se kjo mund ta përshkallëzojë konfliktin rajonal në një krizë globale, transmeton Anadolu.
“Sulmi i SHBA-së ndaj centraleve bërthamore të Republikës Islamike të Iranit më 22 qershor ka maksimizuar rrezikun që kemi theksuar vazhdimisht, përshkallëzimin e konfliktit dhe destabilizimin e mjedisit të sigurisë”, tha ministria turke.
Ankara tha se është “thellësisht e shqetësuar” për pasojat e mundshme të operacionit që shënjestroi centralet bërthamore të Iranit.
“Këto zhvillime mund ta çojnë mosmarrëveshjen rajonale në një nivel global. Ne nuk duam të shohim të shtrihet një skenar kaq katastrofik”, theksoi ministria turke.
Turqia u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira të veprojnë me përgjegjësi dhe “të ndalojnë menjëherë sulmet reciproke” për të shmangur viktima dhe shkatërrime të mëtejshme.
“E vetmja mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjen mbi programin bërthamor të Iranit është përmes negociatave”, theksoi ministria, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të mbështesë përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje paqësore.
“Turqia është e gatshme të përmbushë përgjegjësitë e saj dhe të japë kontribute konstruktive”, tha Ankara.
Reagimi i Ankarasë erdhi disa orë pasi SHBA-ja nisi sulme ajrore në lokacionet bërthamore të Iranit, përfshirë në objektin Fordow, duke përdorur bomba shkatërruese bunker dhe raketa lundrimi.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, herët në mëngjes njoftoi se forcat amerikane kryen sulme ajrore “shumë të suksesshme” në tre lokacione bërthamore iraniane, mes frikës në rritje për një konflikt më të gjerë në rajon.
Pas sulmeve të SHBA-së, Irani i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajë një takim urgjent për ta dënuar agresionin e SHBA-së dhe për t’i mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjin ndërkombëtar.
Sulmi amerikan erdhi pas sulmeve ushtarake izraelite të mbështetura nga SHBA-ja ndaj Iranit që nga 13 qershori, që çuan në sulme hakmarrëse nga Teherani.
Që atëherë, autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në sulmet iraniane me raketa, ndërkohë sipas autoriteteve iraniane, të paktën 430 persona janë vrarë dhe më shumë se 3.500 të tjerë plagosur në sulmet izraelite në Iran.