Prokuroria kërkon paraburgim efektiv për ish-drejtorin e Onkologjisë, Nino Vasev, ndërsa mbrojtja e tij këmbëngul që ai të mbetet në arrest shtëpiak, si masë sigurie e urdhëruar më parë nga Gjykata Penale.
Prokuroria kishte të njëjtën kërkesë sot për Nehat Nuhiun, drejtorin organizativ të Onkologjisë në një kohë kur, sipas prokurorisë, u kryen keqpërdorime të rënda me terapinë për të prekurit nga kanceri. Sipas prokurores Fatime Fetai, Vasev duhet të shkojë në paraburgim dhe pretendimet e mbrojtjes se ai ka bashkëpunuar me autoritetet hetimore në të kaluarën tani janë të pabaza.
“Ai bashkëpunoi, kishte masa, i respektoi ato masa, megjithatë, kjo ishte në një fazë më të hershme ku prokuroria ende nuk i kishte mbledhur të gjitha ato prova që do t’i rrisnin bazat fillestare të dyshimit në një nivel më të lartë, në shkallën që janë tani”.
“Një shkallë në të cilën, bazuar në provat e mbledhura, Prokuroria Themelore Publike Shkup mund të presë në mënyrë të arsyeshme një aktgjykim me dënim. Sa më e sigurt të jetë përballja me mundësinë e një dënimi efektiv me burg, aq më i madh është rreziku i arratisjes”, tha Fatime Fetai, prokurore nga Prokuroria e Lartë Publike.