Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzati, ka denoncuar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale mungesën e investimeve nga ana e ndërmarrjes publike “Ujësjellës dhe Kanalizim”, që funksionon nën ingerencën e Qytetit të Shkupit. Ai theksoi se diskriminimi ndaj Çairit është sistematik dhe nuk paraqet aspak rastësi.
Sipas Nevzatit, kjo ndërmarrje, edhe pse përfiton mbi 1 milion euro në vit nga banorët e Çairit, nuk ka investuar asgjë në rikonstruktimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në katër vitet e fundit. Ai vlerëson se ky është rezultat i një përfaqësimi institucional të dobët, kalkulimeve të ngushta partiake dhe mungesës së vullnetit politik për të adresuar nevojat reale të qytetarëve shqiptarë.
“Padrejtësitë nga ana e Qytetit të Shkupit ndaj Komunës së Çairit nuk janë aksidente – janë sistem!”, shkruan Nevzati, duke shtuar se ky diskriminim është “i kamufluar mirë”, por i dukshëm për çdo qytetar që vuan pasojat.
Në kontrast me këtë neglizhencë, Komuna e Çairit ka siguruar mbi 4.3 milionë euro investime për përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore vetëm gjatë dy viteve të fundit, ndërsa disa projekte tashmë janë përfunduar dhe disa të tjerë janë drejt realizimit.
Nevzati thekson gjithashtu paradoksin institucional, ku Komuna e Çairit pas realizimit të një projekti e dorëzon rrjetin në menaxhim të ndërmarrjes “Ujësjellës dhe Kanalizim”, e cila përfiton fonde për mirëmbajtje, pa investuar fare në ndërtimin e tij.
“Pse banorët e Çairit po diskriminohen në mënyrë të pamëshirshme nga ndërmarrjet që drejtohen nga Qyteti i Shkupit? Pse duhet të paguajnë dy herë për të njëjtin shërbim?”, pyet ai, duke kujtuar se rreth 60% të taksave të banorëve të Çairit i merr Qyteti i Shkupit.
Sekretari i Çairit u shpreh se do të vazhdojnë të informojnë opinionin publik për skandalet që lidhen me degradimin sistematik të kësaj komune dhe do të publikojnë të dhëna të dokumentuara mbi këtë trajtim të pabarabartë.