Mickoski: Azir Aliu dhe Albrim Hoxha fytyra të reja me energji dhe vizion

3 Min. Leximi

Kryeministri Hristijan Mickoski, në një fjalim para Kuvendit, propozoi emërimin e Dr. Azir Aliut si ministër të ri të Shëndetësisë dhe Albrim Hoxhës si zëvendësministër të Bujqësisë, duke i cilësuar të dy si figura kyçe në procesin e reformave dhe modernizimit të institucioneve në vend.

“Dr. Azir Aliu përfaqëson një qasje të re dhe moderne në menaxhimin e sistemit shëndetësor. Ai është doktor i shkencave informatike, profesor dhe ekspert me përvojë të gjatë në fushën e sistemeve, të dhënave dhe zgjidhjeve digjitale – profile që i mungojnë shëndetësisë sonë për shumë kohë,” theksoi Mickoski.

- Advertisement -

Kryeministri e paraqiti Aliun si njeriun e duhur për të udhëhequr transformimin digjital të sistemit shëndetësor, në një kohë kur shumë vende të zhvilluara ofrojnë shërbime mjekësore me një klik, ndërsa qytetarët e Maqedonisë së Veriut ende përballen me byrokraci të lodhshme dhe pritje të gjata. “Koha është për ndryshim thelbësor, dhe energjia, vizioni dhe ekspertiza e Dr. Aliut janë bazë për këtë ndryshim,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, për zëvendësministrin e propozuar të Bujqësisë, Albrim Hoxha, Mickoski theksoi se bëhet fjalë për një profil të ri politik – të ri në moshë, por me përkushtim dhe njohuri të thella për realitetin në terren.

“Albrim Hoxha është një njeri që e kupton jetën bujqësore, që e njeh sfidën e fermerit dhe që vjen me një energji të re për të ndihmuar në krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe të drejtë për bujqësinë,” tha kryeministri. Ai nënvizoi se bujqësia në vend për vite të tëra ka qenë e lënë pas dore, dhe se është koha për t’i dhënë asaj rëndësinë dhe mbështetjen që meriton.

Të dy emrat, sipas Mickoskit, nuk janë zgjedhje të izoluara, por pjesë e një vizioni më të gjerë për “freskim, përparim dhe vendosje të standardeve të reja në udhëheqje”.

- Advertisement -

“Qeveria jonë nuk premton deklarata, por rezultate të matshme. Dr. Azir Aliu dhe Albrim Hoxha janë garanci për rezultate,” përfundoi Mickoski, duke kërkuar mbështetje të gjerë parlamentare për të dy propozimet.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull