-Bullgaria duhet të deklarojë se nuk do të ketë kërkesa të pabaza, tha kryetari i LSDM-së, Venco Filipçe, në një takim me qytetarët në Prilep.
“Bullgarët vërtet duhet të ndërmarrin një hap dhe të sillen në mënyrë evropiane ndaj një vendi fqinj që ka aspirata për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Nëse ne kemi frikë se nesër mund të ndodhë një bllokadë mbi baza të padrejta – për gjuhën, identitetin, etj, atëherë le të tregojnë sjellje evropiane dhe të thonë se kjo nuk do të ndodhë. Kaq. Le të thonë: ‘Jo, ne duam që fqinjët tanë të jenë pjesë e Evropës, do t’ju japim përkrahje, mos u shqetësoni, nuk do të ketë kërkesa të tilla.’ Kjo është politikë e fqinjësisë së mirë dhe të vërtetë – jo vetëm të ushtrosh presion mbi dikë më të vogël dhe më të dobët se vetja,” tha Filipçe.
Ai shtoi se LSDM po punon dhe lobon tek partitë motra nga PES për mbështetjen e raportit për RMV-në, duke theksuar se falë politikave të guximshme dhe shtetformuese të qeverive të LSDM-së, sot gjuha maqedonase është e njohur në BE.
“Ne kemi konfirmuar identitetin dhe gjuhën tonë. Për herë të parë është nënshkruar një marrëveshje me Bashkimin Evropian – marrëveshja Frontex – në gjuhën maqedonase, pa yje, pa fusnota – kjo është patriotizëm”, përfundoi Filipçe.