Pas problemeve të shumta që janë shfaqur në objektet e Ministrisë së Punëve të Brendshme rreth nxjerrjes së dokumenteve personale, Policia e Maqedonisë së Veriut doli me njoftimin e ri rreth vlefshmërisë së letërnjoftimeve.
“I informojmë qytetarët e Republikë së Maqedonisë së Veriut se letërnjoftimet me emrin e shtetit “Republika e Maqedonisë” që kanë afat, gjegjësisht nëse afati nuk ka kaluar, do të vazhdojnë të vlejnë edhe pas 12 shkurtit të vitit 2024”, njoftoi Ministria.
Ministria theksoi që Ligji për Letërnjoftime nuk ka ndryshuar, për këtë letërnjoftimet me emrin e vjetër do të vazhdojnë të vlejnë edhe pas 12 shkurtit.
Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.
Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.
Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.