Krahu më i ri i ndarë i Aleancës për Shqiptarët i prirë përmes një komunikate ka njoftuar formimin e një Këshilli Koordinues të përkohshëm, që do të udhëhiqet nga Arben Fetai si koordinator. Ky veprim siç thuhet është “ndaj veprimeve të njëanshme dhe jashtë kornizës statutore të kryetarit aktual të partisë, Arben Taravari.”
Në komunikatën për media, të nënshkruar nga Arben Fetai si kryetar kuvendi dhe koordinator theksohet se veprimet e ndërmarra pa konsultim me organet përkatëse kanë shkaktuar paqartësi dhe shqetësim të madh, jo vetëm në mesin e shumicës së anëtarësisë, por edhe në opinionin më të gjerë qytetar.
Ja Vendimet e Këshillit Koordinues:
Zgjedhja e koordinatorit
Z. Arben Fetai, Kryetar i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, është zgjedhur koordinator i Këshillit Koordinues.
Qëndrimi ndaj koalicionit “Vlen”
Aleanca për Shqiptarët konfirmon vazhdimin e pjesëmarrjes në qeveri si pjesë e koalicionit “Vlen”, në cilësinë e një partneri të barabartë dhe me përfaqësim proporcional me partitë e tjera të përfshira në këtë bashkëpunim.
Përfaqësimi në “Vlen”
Është marrë vendim për krijimin e një ekipi të ri përfaqësues, i cili do të përfaqësojë zyrtarisht Aleancën për Shqiptarët në të gjitha strukturat dhe vendimmarrjet e koalicionit “Vlen”.
Qëllimi i këtyre masave, thuhet në komunikatë, është të ruhet integriteti i partisë, të respektohet vullneti i shumicës dhe të garantohet një funksionim demokratik e transparent i strukturave partiake”, theksohet në komunikatë.