BDI: Sektori i sigurisë nuk guxon të jetë instrument i dominimit etnik dhe revanshizmit politik

2 Min. Leximi

BDI sot përmes një kumtese shpreh shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në MPB dhe URMV, ku në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike po kryhet degradimi dhe përjashtimi i pjesëtarëve të popullit shqiptar nga pozitat udhëheqëse.

“Rasti i fundit i shkarkimit të të gjithë zëvendësshefave shqiptarë dhe emërimi i të afërmve të Kryetarit të Komunës në Stacionin Policor të Butelit përbën jo vetëm një skandal institucional, por edhe një sinjal të rrezikshëm për rikthimin e ekskluzivitetit dhe diskriminimit në sektorin më të ndjeshëm – atë të sigurisë.

- Advertisement -

Veçanërisht shqetësues është fakti që kjo ndodh në Butel, një nga komunat më të theksuara multietnike në kryeqytet, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.

- Advertisement -

Emërimet njëetnike dhe partiake në strukturat e sigurisë, si dhe degradimi poshtërues i kuadrove profesionale policore me përkatësi etnike shqiptare, minojnë parimin e përfshirjes, shtyllë kyçe e Marrëveshjes së Ohrit.

Pikërisht prania dhe përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në polici dhe ushtri ishin parakushte për stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike pas vitit 2001.

Sot, po shohim një proces të kundërt: çmontimin e mekanizmave të balancës, që çon drejt rikthimit të mosbesimit dhe ndjenjës së përjashtimit te një popull i tërë”, thonë nga BDI.

Nga atje i bëjnë thirrje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, MPB-së, si dhe bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit, të reagojnë menjëherë dhe pa ekuivoke.

“Sektori i sigurisë nuk guxon të jetë instrument i dominimit etnik dhe revanshizmit politik”, thonë nga BDI.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull