Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti informoi sot se thirrjet për programin #EULIFE25 janë zyrtarisht të hapura dhe vendi ynë është i vetmi në rajon që ka qasje në këto fonde.
Mexhiti i bëri thirrje komunitetit akademik, komunave, institucioneve shkencore dhe arsimore, sektorit privat dhe shoqatave të qytetarëve që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë drejtpërdrejt në njërën nga thirrjet e hapura, në mënyrë që, sipas tij, idetë e gjelbra të mund të transformohen në projekte konkrete të mbështetura nga BE!
Programi LIFE mbështet projekte në katër fusha kryesore edhe atë; Mbrojtja e natyrës dhe biodiversitetit, Ekonomi cirkulare, Veprimi ndaj klimës – zbutja dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike dhe Energji e pastër dhe burime të qëndrueshme.
“Idetë, vizionet dhe iniciativat tuaja për një të ardhme të qëndrueshme tani mund të mbështeten me fonde të konsiderueshme evropiane”, shkroi në rrjetet sociale”, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
Për t’u bërë pjesë e programit, palët e interesuara duhet të regjistrohen për të ndjekur ditët virtuale informuese #EULife25 nga 13 deri më 15 maj, ku kanë mundësinë të marrin këshilla dhe udhëzime për plotësimin e aplikimeve direkt nga ekspertë evropianë.