Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, në një postim të fundit, theksoi se sinqeriteti ndaj qytetarëve është detyrim në kohë udhëkryqesh politike. Ai deklaroi qartë se çdo largim nga koalicioni VLEN nënkupton kalim te Fronti Europian dhe BDI-ja, duke e quajtur këtë veprim shërbim ndaj “Partisë Nongrata”. Ibrahimi shtoi se VLEN nuk është vetëm projekt partiak, por përgjigje ndaj nevojës historike për bashkim dhe ndryshim në skenën politike shqiptare.
Postimi i plotë:
Në çastet e udhëkryqeve politike, sinqeriteti ndaj qytetarëve nuk është luks, por është detyrim.
Prandaj dua të shpreh një qëndrim të qartë dhe të drejtëpërdrejtë.
Që nga viti 2016, shqiptarët nuk kanë pasur zgjedhje ku partitë e tyre kanë garuar të ndara. Atëherë u tha, me të drejtë, se ndarja e dobëson zërin shqiptar dhe e fuqizon një forcë që e ka ndërtuar pushtetin mbi përçarje.
Sot, përballë dy koalicioneve të qarta – VLEN dhe Fronti Europian i udhëhequr nga BDI – çdo largim nga VLEN-i nuk është neutralitet, por është një kalim tek Fronti, tek BDI-ja, ose, më saktë, tek Plaku i Soravisë. E thënë troç: kush largohet nga VLEN-i, është në shërbim të Partisë Nongrata.
Pa dramatizime në rolin e viktimës, pa interpretime simbolike e pa ekzegjeza politike. Ky është realiteti politik.
Çdo individ ose subjekt ka të drejtë ta zgjedhë rrugën e vet, por ne kemi detyrim që qytetarëve t’ua themi të vërtetën.
VLEN-i nuk është thjesht një projekt partiak, por është një përgjigje ndaj një nevoje të madhe historike – bashkimi për t’i dhënë fund një realiteti që shqiptarët nuk e duan më.
Në këtë rrugë, qartësia, besnikëria dhe transparenca nuk janë luks, por janë vlera që ndërtojnë besim dhe garantojnë ndryshim.