Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi sot në Kuvend ka arsyetuar Ligjin për angazhimin e personave me punë. Ai tha se një nga qëllimet e këtij ligji është parandalimi i shpërnguljes së të rinjve si dhe mundësimi që kompanitë të punësojnë sa më shumë punëtorë.
“Përmes këtij ligji, synojmë të forcojmë ekonominë meqë kur do të bëhet korniza legale edhe punëtorëve u jepet mundësia për të fituar në mënyrë legale, atëherë po ata punëtorë të njëjtë në bazë të pagës së pranuar, do t’i paguajnë tatime shtetit, por edhe përmes kontribuesve indirekt në ekonomi do të gjejnë një mënyrë për të forcuar konsumin personal, shteti të arkëtojë tatimet, etj.
Me këtë ligj mundësohet procedurë më e thjeshtuar për angazhimin në punë të personave për punë të përkohshme dhe sezonale në veprimtari të caktuara, marrim numër më të madh përfitimesh në disa fusha të ndryshme”, tha ministri Durmishi.
Ai tha se ky ligj ka për qëllim plotësimin e nevojave për punë të punëdhënësve, ku lejohet angazhimi i personave me pension pleqërie, si dhe studentë të rregullt, pa humbur me këtë rast përfitimet tjera, siç janë përdoruesit e mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, personat e evidentuar të papunë (e drejta e kompensim monetar dhe nuk fshihen nga regjistrat e të papunëve), përdorues i pensionit të pleqërisë dhe familjar, përdorues i së drejtës për sigurim social, statusi i studentit të rregullt…
“Ky ligj ndihmon në luftën kundër ekonomisë informale “gri” duke formalizuar punën e palajmëruar dhe është pjesë e angazhimeve strategjike të shtetit për të nxitur dhe mbështetur formalizimin e veprimtarive ekonomike informale duke krijuar sistem masash mbështetëse parandaluese dhe nxitëse”, shtoi ministri Durmishi.
Mes tjerash, ministri tha se me Ligjin janë përfshirë tre fusha: Bujqësia, Pylltaria dhe Peshkimi
-Objekte për akomodim dhe veprimtari shërbyese të ushqimit
-Veprimtari të amvisërive si punëdhënës
Ministri Durmishi shpjegon Ligjin me të cilin do të mundësohet parandalimi i shpërnguljes së të rinjve
