Në një e-mail, drejtuar mediave, punëtorët e “Higjienës Komunale” dhe “Parqe e Gjelbërime” reagojnë ndaj BDI-së dhe zyrtarëve të këtij subjekti politik për siç thonë ata keqpërdorimin e tyre për të grumbulluar pikë politike, përderisa nga ana tjetër, siç thuhet në reagimin e tyre, shumica e shqiptarëve të punësuar në këto dy ndërmarrje publike, janë të vendosur në pozita të vështira pune dhe pa sigurim shëndetësor. Në reagimin e punonjësve të “Higjienës Komunale” dhe “Parqe dhe Gjelbërime, gjithashtu thuhet se janë detyruar të fotografohen për partitë politike nën kërcënimin se në të kundërtën do të mbeten pa punë.
“Ne ju drejtohemi me këtë letër për t’ju kërkuar të na lini të qetë. Jemi një grup i madh punonjësish shqiptarë në ndërmarrjet publike “Higjiena Komunale” dhe “Parqe dhe Gjelbërimi”, dhe ju lutemi që të mos na përfshini në reklamat dhe propagandën tuaj politike. Në këto dy ndërmarrje, përveç disa prej miqve tuaj të ngushtë, shumica e shqiptarëve janë të vendosur në pozita të vështira, pa zgjidhje dhe pa asnjë mbështetje sigurimi. Është një padrejtësi të na kërcënoni dhe të përfitoni nga situata jonë për të thënë se ne po ju mbështesim. Ne jemi të vendosur në një situatë të vështirë: ose duhet të pozojmë me ju për foto, diçka që nuk dëshirojmë, ose do të mbetemi pa punë dhe pa mundësi të tjera”, thuhet në Letrën e punonjësve të NP “ Higjiena Komunale”.
Reagimi i punonjësve të “Higjienës Komunale” dhe “Parqe dhe Gjelbërimi”, vjen pas publikimet të një video nga ana e BDI-së në të cilën pretendohet se mbi 50 qytetarë të Çairit dhe Sarajit, janë larguar nga partitë e tjera dhe i janë bashkëngjitur BDI-së. /Alsat.mk