Logjika thotë se jo gjithçka mund të jetë një premtim 100% i paplotësuar ose të mos kushtojë asgjë. Ky është një fjalor “normal” nga i cili po vuajnë liderët dhe partitë politike maqedonase. Por, nëse kjo është e vërtetë (gënjeshtarë dhe hipokritë të paaftë), çfarë kuptimi ka takimi i liderëve me Mickoskin, i cili personalisht nga Filipçe është vlerësuar si i mirë dhe konstruktiv?, shkruan Vërtetmatësi.
Spin dallohet në një pjesë të fjalimit të liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, pas rizgjedhjes në krye të partisë:
Spin: Na pret një luftë tjetër e vështirë, e ajo është të luftojmë kundër kësaj qeverie të VMRO DPMNE-së, ZNAM-it dhe VLEN-it, e cila në 10 muajt e fundit vetëm sa ka treguar se as nuk dinë dhe as nuk mund të merren me problemet. Gjithçka që thanë ishte gënjeshtër, ata nuk e mbajtën asnjë premtim të vetëm. Vendi nuk ka pasur kurrë një qeveri më të paaftë. Nuk ka asnjë zonë apo sferë të vetme në të cilën ndodh diçka e mirë. Shikoni çfarë po ndodh në bujqësi, të gjitha subvencionet janë ulur. Shikoni politikat katastrofike që po futen në arsim. Shëndetësia është në gjunjë. Shikoni se çfarë po ndodh me pagat e punëtorëve, po i bindin se mund të jetojnë me 400 euro në muaj. Çfarë hipokritë janë ulur në qeveri, tha Filipçe.
[Burimi: LSDM – Venko Filipçe – 06.04.2025]
Кundërspin: I gëzuar dhe i inkurajuar nga rizgjedhja me 18 mijë kundrejt 9 mijëve para disa muajsh, lideri i vjetër-i ri Venco Filipçe shprehu një sërë kualifikimesh për qeverinë aktuale dhe njerëzit që e përbëjnë atë, mes të cilave ka shtrembërime të qarta të së vërtetës, pra spinime.
Duke u nisur nga modeli i vendosur i fjalorit që e përdorin partitë parlamentare në vend – kur jam unë në pushtet gjithçka është rozë, kur jam në opozitë gjithçka është e kalbur dhe të gjithë janë kriminelë – nuk është për t’u habitur as ky fjalor i Filipçes, i cili, megjithatë, nuk ka mbështetje në realitetin dhe është politikisht i pasaktë dhe i papërshtatshëm për një “parti shtetformuese” dhe liderin e saj.
Ndoshta nuk ka nevojë të përmenden investimet e reja të huaja, prej të cilave disa janë kyçe edhe për energjetikën dhe pavarësinë energjetike të vendit, e që ishin premtime parazgjedhore i VMRO-DPMNE-së, as kredia afatgjatë prej një miliard eurosh me kushte të favorshme, nga të cilat gjysma shkojnë për infrastrukturën lokale, e gjysma për ekonominë (me gjithë paqartësitë shoqëruese rreth këtyre mjeteve)… Ndoshta nuk ka nevojë të përmendet ringjallja e Hekurudhave të Maqedonisë, transportit dhe infrastrukturës nga “të vdekurit” me huamarrje, por edhe me investime në burime vetanake, ndoshta nuk ka nevojë të përmendim investime të mëtejshme në hekurudha, as lëvizje nga pika e vdekur e ndërtimit të rrugëve duke zgjidhur shpejt problemet më të mëdha që i pengonin (ridizajnimi, por mbi të gjitha problemet me pronën private…Ndoshta nuk ka nevojë të përmendet përparimi në luftën kundër krimit të organizuar të rrugës, edhe pse ende jo i përfunduar (Duqanxhiku ra përfundimisht, por Grçeci ende po reziston), as lufta kundër terrorizmit, e as ajo kundër krimit të organizuar ekonomik, siç është procesi gjyqësor që ka filluar kundër helmuesve me mazut – që për nga shuma (167 milionë euro) dhe për nga rëndësia është në krye të listës, edhe pse nuk duhet harruar as rasti “Aditiv”... Ndoshta nuk ka nevojë të përmendet se procesi i reformave në drejtësi, me të gjitha dilemat se si duhet të realizohen, është ende i gjallë, për çka dëshmon edhe lista e ndryshimeve ligjore që janë në procedurë dhe që ministri Filkov kohët e fundit i bëri publike për shkak të përplasjes me deputetin Miloshoski, e kështu me radhë.
Vetëm një pjesë e asaj që u përmend – për të cilën, natyrisht, mund të gjenden vërejtje të vogla dhe ekzagjerime nga ana e qeverisë – tregon se pretendimet e Filipçes, se “shteti kurrë nuk ka pasur një qeveri më të paaftë” dhe se “nuk ka asnjë fushë apo sektor ku po ndodh diçka e mirë”, janë shtrembërime të së vërtetës dhe spin. Madje edhe sa i përket pagave. Është e vërtetë që qeveria refuzoi ta rrisë pagën minimale nga 400 në 500 euro, por është po ashtu e vërtetë se në disa sektorë dhe fusha – për shembull në arsim dhe shëndetësi – pagat kanë vazhduar të rriten. Në fund të fundit, edhe logjika e thjeshtë thotë se nuk është e mundur që gjithçka, njëqind për qind, të jetë premtim i parealizuar apo të mos vlejë aspak.
Por le të theksohet sërish – “retorika normale” e partive politike maqedonase dhe liderëve të tyre, ekziston edhe një tjetër kontradiktë që e thekson spinin për të cilin po flasim. Nëse, siç thotë Filipçe, asgjë nuk vlen, nëse në qeveri ulen të paaftë, gënjeshtarë dhe hipokritë që nuk bëjnë për asgjë, atëherë çfarë kuptimi ka insistimi i tij për një takim liderësh (në Kuvend), që më pas u shndërrua në takim liderësh vetëm me Hristijan Mickoskin, në të cilin është diskutuar për interesat kombëtare dhe çështje të mëdha shtetërore, në të cilat të gjitha partitë duhet të japin kontributin e tyre dhe në të cilat LSDM do të marrë pjesë aktive përmes ekspertëve të vet në grupet punuese? Dhe të cilin vetë Filipçe e vlerësoi si takim të mirë dhe konstruktiv. Ose ndoshta ka të drejtë Mickoski, kur thotë se në pjesën më të madhe të takimit është diskutuar për zhvillimet e reja lidhur me hetimin për spitalin modular, për Laskarcin, për vaksinat kundër Covid-it, etj?
Pikërisht për këto arsye, një pjesë e fjalimit të Venko Filipçes gjatë triumfit të djeshëm paszgjedhor brendapartiak mund të vlerësohet si spin.