Pesë ushtarë ukrainas kanë rrëfyer për BBC-në momentet e tërheqjes nga rajoni rus, Kurs, në të cilin Ukraina kishte nisur një inkursion në gusht të vitit të kaluar. Teksa shumica prej tyre i kanë përshkruar skenat e largimit si “një film horror”, një prej tyre është shprehur më optimist, duke thënë se kanë luftuar “si luanë”. Analistët ushtarakë vlerësojnë se dy të tretat e 1.000 km katrorë të fituara në fillim të inkursionit ukrainas kanë humbur që atëherë.
Ushtarët ukrainas që luftonin në rajonin Kursk të Rusisë i kanë përshkruar skenat “si një film horror” teksa tërhiqeshin nga vijat e frontit.


BBC-ja ka gjetur llogari të shumta në rrjetet sociale të ushtarëve ukrainas, të cilët tregojnë një tërheqje “katastrofike” përballë zjarrit të madh, kolonave të pajisjeve ushtarake të shkatërruara dhe sulmeve të vazhdueshme nga tufat e dronëve rusë.
Ushtarëve të cilët kanë rrëfyer skenat tronditëse u janë vendosur pseudonime për të mbrojtur identitetin e tyre. Disa kanë folur për një “kolaps” pasi Ukraina ka humbur Sudzhan, qytetin më të madh që kishte nën kontroll.
Kufizimet e Ukrainës për të udhëtuar në front kanë bërë që të mos jetë e mundur të merret një pasqyrë e plotë e situatës. Por kështu e kanë përshkruar pesë ushtarë ukrainas atë që kishte ndodhur.
Volodymyr: Dronë gjatë gjithë kohës
Më 9 mars Volodymyr kishte dërguar një postim në telegram për BBC-në duke thënë se ai ishte ende në Sudzha, ku kishte “panik dhe shembje të frontit”.
Trupat ukrainase “po përpiqen të largohen – kolona trupash dhe pajisjesh. Disa prej tyre digjen nga dronët rusë në rrugë. Është e pamundur të largohesh për një ditë”.
Lëvizja e trupave, logjistikës dhe pajisjeve ishin mbështetur në një rrugë kryesore midis Sudzhës dhe rajonit Sumy të Ukrainës.
Volodymyr ka thënë se ishte e mundur të udhëtoje relativisht sigurt në atë rrugë një muaj më parë. Ndërsa më 9 mars ishte ajo “e gjitha nën zjarrin e armikut, me dronë gjatë gjithë kohës”.
“Në një minutë mund të shihni dy deri në tre dronë. Kjo është shumë”, ka thënë ai.
“Ne kemi të gjithë logjistikën këtu, në një autostradë Sudzha-Sumy. Dhe të gjithë e dinin se (rusët) do të përpiqen ta shkatërrojnë atë. Por, kjo përsëri erdhi si një surprizë për komandën tonë”, është shprehur ai.
Në kohën e shkrimit, pak para se Rusia ta rimerrte Sudzhan, Volodymyr ka thënë se forcat ukrainase po shtypeshin nga të tria anët.
Maksym: Automjetet e dëmtuara mbushin rrugët
Më 11 mars forcat ukrainase po luftonin për të parandaluar prerjen e rrugës, sipas mesazheve në Telegram nga ushtari i emërtuar “Maksym”.
“Disa ditë më parë ne morëm një urdhër për të lënë linjat e mbrojtjes në një tërheqje të organizuar”, ka thënë ai, duke shtuar se Rusia kishte grumbulluar një forcë të konsiderueshme për ta rimarrë qytetin, “duke përfshirë një numër të madh ushtarësh koreano-veriorë”.
Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se Rusia kishte grumbulluar një forcë deri në 70.000 trupa për ta rimarrë Kurskun, duke përfshirë rreth 12.000 koreano-veriorë.
Rusia kishte dërguar gjithashtu njësitë e saj më të mira të dronëve në front dhe po përdorte variante kamikaze dhe mundësi të tjera për të “marrë kontrollin e rrugëve kryesore të logjistikës”.
Ato përfshinin dronë të lidhur me operatorët me tela me fibra optike, të cilët është e pamundur të bllokohen me kundërmasa elektronike.
Maksym ka thënë se si rezultat “armiku ka arritur të shkatërrojë dhjetëra njësi pajisjesh” dhe se rrënojat kishin “krijuar mbipopullim në rrugët e furnizimit”.
Anton: Katastrofa e tërheqjes
Situatën e asaj dite, më 11 mars, “Anton” e ka cilësuar si “katastrofike”.
Ushtari i tretë me të cilin ka folur BBC-ja po shërbente në selinë e frontit të Kurskut.
Ai gjithashtu ka theksuar dëmet e shkaktuara nga dronët rusë “FPV”.
“Dikur kishim një avantazh në dronët, tani jo”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se Rusia kishte një avantazh me sulme ajrore më të sakta dhe një numër më të madh trupash.
Anton ka thënë se rrugët e furnizimit ishin ndërprerë.
“Logjistika nuk funksionon më, dërgesat e organizuara të armëve, municioneve, ushqimit dhe ujit nuk janë më të mundshme”, tha Anton.
Anton ka shtuar se ai kishte arritur të largohej nga Sudzha me këmbë natën.
“Ne pothuajse vdiqëm disa herë. Dronët janë në qiell gjatë gjithë kohës”, është shprehur ai.
Ushtari ka parashikuar se e gjithë baza e Ukrainës në Kursk do të humbte, por që, sipas tij, “nga pikëpamja ushtarake, drejtimi i Kurskut e ka shteruar veten”.
“Nuk ka kuptim ta mbajmë më atë”, ka thënë ai.
Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se ofensiva e Ukrainës në Kursk përfshinte rreth 12.000 trupa. Ata ishin disa nga ushtarët e tyre më të trajnuar, të pajisur me armë të furnizuara nga Perëndimi, duke përfshirë tanke dhe automjete të blinduara.
Blogerët rusë kanë publikuar video që tregonin se disa nga ato pajisje po shkatërroheshin ose kapeshin.
Më 13 mars Rusia ka thënë se situata në Kursk ishte “plotësisht nën kontroll” dhe se Ukraina kishte “braktisur” shumë nga pajisjet e saja.
Dmytro: Disa metra nga vdekja
Në postimet në rrjetet sociale më 11-12 mars, një ushtar i katërt, i emërtuar si “Dmytro” e ka krahasuar tërheqjen nga Kursku me “një skenë të një filmi horror”.
“Rrugët janë të mbushura me qindra vetura të shkatërruara dhe automjete të blinduara. Ka shumë të plagosur dhe të vdekur”, është shprehur ai.
Automjetet shpesh sulmoheshin nga dronë të shumtë, sipas tij.
Ai e ka përshkruar arratisjen e tij. Tha se vetura me të cilën po udhëtonte ishte bllokuar. Ai dhe shokët e tij të frontit po përpiqeshin ta lironin automjetin kur u shënjestruan nga një dron tjetër “FPV”.
Ai e ka humbur automjetin, por ishte plagosur një nga shokët e tij. Ai ka thënë se ata duhej të fshiheshin në një pyll për dy orë para se të shpëtoheshin.
Dmytro ka vazhduar duke thënë se shumë ukrainas u tërhoqën në këmbë, teksa shumë prej tyre kanë ecur nga 15 deri në 20 km.
Situata, ka thënë ai, ishte kthyer nga “e vështirë dhe kritike, në katastrofike”.
Në një mesazh më 14 mars, Dmytro ka shtuar: “Gjithçka ka përfunduar në rajonin e Kurskut… operacioni nuk ishte i suksesshëm.”
Ai ka vlerësuar se mijëra ushtarë ukrainas kishin vdekur që nga kalimi i parë në Rusi në gusht.
Artem: Ne luftuam si luanë
Një ushtar i pestë dukej më pak i zymtë për situatën. Më 13 mars, ushtari i emërtuar si “Artem” ka dërguar një mesazh në Telegram nga një spital ushtarak, ku po trajtohej për plagët e marra nga një sulm me dron.
Artem ka thënë se ai kishte luftuar më në perëndim, afër fshatit Loknya, ku forcat ukrainase po bënin një rezistencë të ashpër “duke luftuar si luanë”.
Ai besonte se operacioni kishte arritur njëfarë suksesi.
“Është e rëndësishme që deri më tani Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë krijuar këtë zonë tampon, falë së cilës rusët nuk mund të hyjnë në Sumy”, ka deklaruar ai.
Çka tani me ofensivën e Ukrainës?
Gjenerali i lartë ukrainas, Oleksandr Syrskyi, ka këmbëngulur se forcat ukrainase janë tërhequr në “pozicione më të favorshme”, mbeten në Kursk dhe do ta bëjnë këtë “për aq kohë sa është e nevojshme”.
Ai ka thënë se Rusia kishte pësuar më shumë se 50.000 humbje gjatë operacionit, përfshirë të vrarët, të plagosurit ose të kapurit.
Megjithatë, situata tani është shumë e ndryshme nga gushti i kaluar. Analistët ushtarakë vlerësojnë se dy të tretat e 1.000 km katrorë të fituar në fillim kanë humbur që atëherë.
Çdo shpresë se Ukraina do të jetë në gjendje të tregtojë territorin e Kurskut për disa nga të sajat janë zvogëluar ndjeshëm.
Javën e kaluar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se besonte se operacioni në Kursk kishte “përmbushur detyrën e tij” duke detyruar Rusinë të tërhiqte trupat nga lindja dhe të lehtësonte presionin mbi Pokrovskun.
Por, ende nuk është e qartë se me çfarë kostoje.