Washington
Dhjetëra mijëra dosje të mëparshme sekrete të FBI-së për vrasjen e ish-presidentit amerikan John F. Kennedy në vitin 1963 do të publikohen këtë javë, njoftoi sot presidenti Donald Trump, transmeton Anadolu.


Në publikimin pasditen e së martës do të jetë të qasshme për publikun 80.000 faqe dhe Trump tha se i ka urdhëruar zyrtarët e tij që të mos redaktojnë dosjet “shumë interesante” gjashtë dekada të vjetra.
“Keni për të lexuar shumë. Nuk besoj se do të redaktojmë ndonjë gjë. Unë thashë ‘thjesht mos redaktoni. Nuk mund të redaktoni’. Por ne do të publikojmë dosjet e JFK-së”, tha ai.
“E kanë pritur këtë për dekada. Dhe unë thashë gjatë fushatës se do t’i publikoj dhe unë jam një njeri i fjalës. Kështu që nesër do të keni dosjet e JFK-së”, shtoi Trump.
Trump urdhëroi më 23 janar deklasifikimin e të gjitha dosjeve qeveritare në lidhje me vrasjet e Kennedyt, vëllait të tij, senatorit Robert F. Kennedy, dhe ikonës së të drejtave civile, Martin Luther King, Jr.
Trump ka thënë se ai ka përcaktuar se publikimi i dokumenteve qeveritare që kanë të bëjnë me vrasjet, të cilat kanë ndodhur të gjitha më shumë se 60 vjet më parë, është “në interesin publik”.
Një ligj i vitit 1992 urdhëroi publikimin e të gjitha dosjeve që kishin të bënin me vrasjen e JFK-së deri në vitin 2017, por i lejoi presidentët të parandalonin shpërndarjen e tyre publike nëse vërtetonin se lirimi i tyre do të kishte krijuar “dëm të identifikueshëm ndaj mbrojtjes ushtarake, operacioneve të inteligjencës, zbatimit të ligjit ose sjelljes së marrëdhënieve me jashtë” që tejkalon interesin publik.