Pas reagimit të VLEN-it, zyrtari fshin postimin për Mlladiqin dhe kërkon falje

2 Min. Leximi

Pas reagimit të ashpër të VLEN-it ndaj glorifikimit të kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, e ka fshirë postimin e diskutueshëm nga rrjetet sociale dhe ka kërkuar falje.

Kitanoviq, pas tre ditësh heshtje, reagoi përmes një deklarate, duke thënë se i kërkon falje kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrave që, sipas tij, janë përfshirë në një përplasje politike për shkak të këtij rasti. Ai shprehet i gatshëm të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij, por mohon se ka pasur ndonjëherë qëllim të ofendojë apo poshtërojë ndonjë popull, fe apo komunitet etnik.

Postimi i tij kishte përmbajtur një fotografi ku Ratko Mlladiq paraqitej së bashku me figura të historisë serbe, mes tyre edhe Drazha Mihajlloviq, me mbishkrimin „Gjeneralët e ushtrisë qiellore“.

„Jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi për çdo fjalë timen. Por nuk do të mbaj përgjegjësi për manipulimet e të tjerëve me fjalët e mia. Nuk do të pranoj që tërheqja e postimit tim të shndërrohet në pranim të diçkaje që nuk e kam bërë“, ka shkruar Kitanoviq.

Ai shton se nuk do të lejojë që mirësjellja e tij njerëzore të interpretohet si dobësi dhe se nuk do të lejojë që përmes tij të ofendohet as populli dhe as partia e tij.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull