Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka prezantuar Rrjetin e Grave në Pozita Vendimmarrëse në Administratë Publike dhe institucione te pavarura, raporton Anadolu.


Në këtë tubim mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm sa i përket barazisë gjinore dhe përkrahjes së gruas në pozita vendimmarrëse, në administratë publike dhe institucione të pavarura.
Ai tha ekziston një lidhje e thellë midis paqes dhe grave në udhëheqje, për të cilën dëshmojnë historia dhe hulumtimet shkencore, që dëshmon se “aty ku udhëheqin gratë, jeta është më e drejtë e më e mirë, për gratë, për burrat dhe për gjithë shoqërinë”.
“Kemi mbështetur direkt punësimin e 12 mijë grave. Nga të rekrutuarat në administratën publike në vitin 2023, 48 për qind ishin gra, ndërkaq në vitin që lamë pas, 2024, 63 për qind ishin gra. Mbështetëm punësimin e mbi 4 mijë personave, prej tyre 55 për qind gra, të cilët nuk kanë pasur asnjë anëtar të familjes të punësuar, nëpërmjet programit Qeveria për Familjet”, tha Kurti.
Leonita Shabani Mullarama, e cila foli para të pranishmëve për shembullin e saj të avancimit si grua në administratën e Ministrisë së Ekonomisë, tha se pozita e shefit të administratës në ministri tradicionalisht mbahej vetëm nga burrat, por, që një gjë e tillë është ndryshuar tashmë, me emërimin e saj në këtë pozitë.
“Nëse na pyet secilën prej nesh se a ka hezituar të aplikojë për pozitë vendimmarrëse, përgjigjja do të jetë po. Kam hezituar, jam hamendësuar, ndonjëherë kam thënë edhe po tërhiqem nga gara. Jo se më mungonte dedikimi apo përkushtimi profesional, por, se mandatet të cilat duhet t’i menaxhosh paralelisht si profesioniste, si menaxhere, por edhe si nënë e re, janë jo të lehta, por ia vlen të tentojmë”, tha ajo.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 80 për qind e grave në Kosovë nuk janë pjesë e tregut të punës.