Izet Mexhiti forcon lidhjet me Turqinë, a po e braktis komuniteti turk Ali Ahmetin?

2 Min. Leximi

Vizita zyrtare e zëvendëskryeministrit të parë të Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, në Turqi ka riafirmuar partneritetin strategjik mes dy vendeve, duke përfshirë takime të rëndësishme me presidentin Rexhep Tajip Erdogan dhe ministrin e Jashtëm, Hakan Fidan. Në fokus të bisedimeve ishin investimet strategjike, zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe forcimi i lidhjeve mes Shkupit dhe Ankarasë. Ky angazhim tregon qasjen serioze të Mexhitit në ndërtimin e partneriteteve konkrete dhe rritjen e ndikimit të tij ndërkombëtar.

Në të kundërt, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, vazhdon të mbetet jashtë vëmendjes së Ankarasë zyrtare. Për dekada, ai nuk ka pasur qasje në nivelet më të larta të politikës turke, ndryshe nga Mexhiti, i cili tashmë po konsolidohet si përfaqësuesi kryesor i shqiptarëve në raportet me Turqinë. Kjo situatë është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se Ahmeti, përmes Frontit Evropian, ka në koalicionin e tij edhe partitë politike të komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut.

- Advertisement -

Mospranimi i Ahmetit nga Ankaraja ngre pyetje mbi pozicionin e komunitetit turk në skenën politike vendase. A është ky një mesazh i qartë për ta se ndodhen në anën e gabuar? Duke parë dinamikat aktuale dhe orientimin e Turqisë drejt bashkëpunimit me Mexhitin, nuk përjashtohet mundësia që, sa më afër zgjedhjeve lokale, komuniteti turk të distancohet nga Fronti Evropian dhe t’i bashkohet shumicës në qeveri.

- Advertisement -

Ky zhvillim shënon një moment të rëndësishëm në politikën shqiptare dhe atë turke në Maqedoninë e Veriut.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull