Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit ku ndodhet prej 13 shkurtit, i është përgjigjur me shkrim disa pyetjeve të Top Story, në lidhje me arrestimin dhe reagimet e tij ndaj prokurorit të çështjes.
Ai ka thënë se djali i tij ende nuk e di se ai ndodhet në burg.
“Unë jam në burg, Grida, djalit s’i kemi thënë ende.
Jemi në situatë komplet të pabarabartë: Unë në burg, ku as takoj njeri, as informohem dot. Sot as krerët e kulteve, as deputetët, as dy senatorë italianë, as nënkryetarët e Bashkisë, as anëtarët e Këshillit Bashkiak, e askush tjetër nuk lejohet. Kurse Sali kërma i 21 Janarit e Gërdecit, që i kërkon falje Olsit, është i lirë. Edhe kur ishte në arrest shtëpie dhe nuk i lejohej takimi me asnjë person, përveç familjarëve, ai vazhdonte qetësisht të priste me kuç e me maç pa e ndaluar kush dhe në kundërshtim të urdhërimit të SPAK dhe të vendimit të Gjykatës.
Po kështu, nuk patën guximin, kur ishte në arrest shtëpie e paraqitej në gjykatë, ta shoqëronin me automjetin e Policisë së Shtetit, por lëvizte me makinën e tij private, serbes-serbes. Jo e njëjta gjë ndodhi me bashkëshorten time, pasi në respektim të ligjit u paraqit ditën e seancës e shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Shtetit dhe me automjetin e tyre.
I jap gjithë mbështetjen Drejtësisë, por nëse e duam vërtet, duhet t’ia themi kur ka një masë tumorale në formën-gjuhën-dëftesën-hilen e Ols Dados, që trupi i shëndoshë të mos gangrenizohet nga kati shtesë i kollovarit pa letra në pisllëkun që e emëroi në 2008”, ka thënë ai.