Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për vendosjen e tarifave për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja dhe për importet nga Kina.
Presidenti, i cili po punon këtë fundjavë nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago të Floridës, tha një ditë më parë se këto vende nuk mund të bëjnë asgjë për t’i parandaluar tarifat.
Ai caktoi 1 shkurtin si afatin e fundit për këto vendime.
Një ditë më parë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se tarifat do të jenë 25 për qind ndaj Meksikës dhe Kanadasë dhe 10 për qind mbi tarifën aktuale ndaj importeve të Kinës.
Presidenti amerikan gjithashtu është zotuar që t’i përdorë tarifat për të nxitur prodhimin benda vendit. Kanadaja dhe Meksika kanë thënë se kanë përgatitur plane për tarifa hakmarrëse, që do të përdoren nëse është e nevojshme.