Sot në Gjykatës Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca fillestare ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës e Tom Dodajt, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.
Kjo seancë ishte paraparë të mbahej të hënën e kësaj jave, por trupi gjykues kishte vendosur ta shtyjë për 31 janar (sot), pasi avokatët e të akuzuarve kanë thënë se nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.
Më 27 janar Gjykata Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj 4 të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas aktakuzës, Naim Murseli ka deklaruar se motivi ishte presioni i lartë nga bashkëshortja dhe xhelozia e saj.
Granit Plava ka deklaruar se i është thënë se duhet të vrasë një biznesmene serbe. E Kushtrim Kokalla ka thënë se Murseli e ka lutur për një vit që ta vrasë Liridonën. I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, sipas aktakuzës, ka thënë se ia ka shitur Murselit armën me 20 fishekë për 280 euro.
Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor 2023, në orën 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe fillimisht rasti ishte raportuar si vrasje gjatë grabitjes.