Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, më 28.01.2025 ka thënë se në Fushë-Kosovë janë detyruar t’i heqin karriget sepse nuk kishte vend më për qytetarët që shkuan në tubim. Ai e ka quajtur Fushë-Kosovën “bastion të pamposhtur të Lidhjes Demokratike”.
Sipas tij, qytetarët gjithandej vendit kanë vendosur dhe janë bërë një me LDK-në.“Për mua, dhe për ne në LDK, këto zgjedhje janë refuzim kategorik ndaj dështimit të shtetit, dhe hap i guximshëm drejt ndryshimit të vërtetë! Sepse Kosova nuk mund të përballojë më dështime! Ne nuk mund ta lejojmë më largimin e të rinjve nga vendi! Koha për ndryshim është tani”- ka shkruar ai. Ndërsa, ka thënë se “është koha të veprojmë për të rinjtë që nuk duan të largohen nga atdheu, për bizneset që kërkojnë mundësi ta zhvillojnë vendin, dhe për çdo familje që meriton jetë më të mirë”.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025. Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë: – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi. Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.