Dita e parë e fushatës njëmujore, Lëvizjen Vetëvendosje, e gjeti në jugperëndim të Kosovës. Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, i cili synon edhe një mandat në krye të qeverisë, dha edhe këto premtime: Për rininë e kemi punësimin, për gratë e kemi barazinë, për fëmijët i kemi shtesat, për opozitën e kemi opozitën
Gjakova është qyteti nga ku Lëvizja Vetëvendosje, ka nisur zyrtarisht fushatën zgjedhore. Takimin e parë me qytetarë, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, e zhvilloi në fshatin Cërmjan, nga ku tha se ka zgjedhur ta nisin me Gjakovën për shkak se është qyteti që “ka pësuar më së shumti gjatë luftës së fundit”.
E tubimin qendror e zhvilloi në palestrën “Shani Nushi”.
Në adresimin e tij para të pranishmëve, pretendenti për ta drejtuar Qeverinë në edhe një mandat, Albin Kurti, përmblodhi premtimet për disa nga fushat.
“Për rininë e kemi punësimin, për gratë e kemi barazinë, për fëmijët i kemi shtesat, për opozitën e kemi opozitën, për Serbinë e kemi policinë, ushtrinë e dialogun, për pleqtë e kemi pensionin dhe për të gjithë e kemi shëndetësinë. Pra secili në vend të vetin”, tha ai.
E, tek foli për raportet me Serbinë, ai akuzoi dy partitë më të mëdha opozitare se gjatë qeverisjes së tyre i kanë bërë dëmin më të madh Kosovës.
“Njëra prej këtyre partive LDK-ja është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë ‘razumem’ e partia tjetër PDK-ja është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë ‘We are not problematic guys’, por koalicioni jonë i thotë atij ashtu qysh është: ‘ministër i Millosheviqit’, aparati shtetëror i të cilit nuk do të ketë vend sepse do ta ndjekim në çdo kënd, cep më cep në Republikën e pavarur e progresiste të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Krahas premtimeve për mbështetje me 1 miliard euro të ndërmarrjeve prodhuese, Kurti premtoi investime në kompleksin turistik në Brezovicë dhe mbështetje edhe për një shtresë të veçantë të shoqërisë.
“Do ta rrisim kohezionin shoqëror përmes mbështetjes financiare për gjyshet dhe gjyshërit që kujdesen për nipërit e mbesat e tyre nga mosha 1-3, për rastet kur punojnë dy prindërit e fëmijëve”, ka thënë Kurti. “Do ta shtojmë prodhimin, do ta shtojmë investimin, do ta mundësojmë riinvestimin e do ta rrisim eksportin. Do të bëjmë program multidimensional për turizimin me investime deri në 500 milionë euro në kompleksin turistik në Brezovicë në partneritet me investitorë privat. Do ta kompletojmë infrastrukturën sportive dhe modernizimin e infrastrukturës përcjellëse për lojërat mesdhetare Prishtina 2030, në 10 komuna të Kosovës dhe bashkë me Durrësin në Shqipëri përfshirë këtu mbi 200 milionë euro për 20 stadiume në 18 komuna, padyshim edhe stadiumin në Gjakovë ku tashmë i kemi ndarë 9 milionë euro”, premtoi Kurti, i cili mbështetje të rritur tha se do të ketë edhe për Luginën, Sanxhakun e fushën e mbrojtjes, derisa investime premtoi në komuna e spitale.
E liderët e subjekteve partnere të Vetëvendosjes, Alternativa e GUXO, njëra kritikoi opozitën e tjetra lavdëroi qeverisjen e fundit katërvjeçare.
Mimoza Kusari e Alternatovës tha se kanë dëshmuar se toka e shtetit nuk blihet për 50 euro.
“Ne kemi arritur të tregojmë se assesi dhe me asnjë çmim toka e shtetit nuk tregtohet për pazare dhe për hesape të të tjerëve. Ne kemi treguar se koha e kompromiseve dhe pazareve ka kaluar bashkë me kohën e qeverisjes së tyre”, ka thënë Kusari-Lila.
Kurse Donika Gërvalla e GUXO-s tha se qeveria e drejtuar nga Kurti është më e mira e më e suksesshmja që ka pasur Kosova ndonjëherë.
“Kemi premtuar luftë kundër krimit dhe korrupsionit, e kemi mbajtur fjalën. Sot në Kosovë sundon ligji, cep më cep, anë e kënd vendit, madje edhe në veri të Kosovës”, ka thënë gërvalla
E derisa fokusi i Vetëvendosjes ishte në Gjakovë, anash nuk u la as Prishtina. Në sheshet kryesore të kryeqytetit, kjo parti u kujdes që të vendosë simbolin për zgjedhjet e 9 shkurtit, zemrën. Takimi i radhës zgjedhor i Vetëvendosjes do të jetë të dielën në Mitrovicë.