Bashkësisë Islame e Kosovës (BIK), ka paralajmëruar zyrtarët e saj administrativë dhe fetarë për paraqitjet publike, duke përfshirë komentet dhe postimet në rrjete sociale.
Përmes një dokumenti zyrtar që ka siguruar Telegrafi, BIK ka kërkuar nga të gjithë zyrtarët që të shmangin veprimet që cenojnë neutralitetin dhe integritetin institucional.
“Sipas Udhëzimit Administrativ nr. 1/2014, janë ndaluar këto veprime: Shprehja e qëndrimeve zyrtare të BIK-ut pa autorizim, dhënia e fetvave pa miratimin përkatës, shprehja e qëndrimeve personale me karakter politik, pjesëmarrja në fushata politike apo angazhimi si aktivist në parti politike, kandidimi në lista të partive politike dhe manifestimi publik me rastin e fitores së një partie të caktuar”, thuhet mes tjerash në vërejtjen e BIK-ut.
BIK thekson se shkeljet e këtyre udhëzimeve do të konsiderohen në kundërshtim me Kushtetutën dhe aktet ligjore në fuqi, duke sjellë sanksione për personat përgjegjës.
Kjo vërejtje vjen si masë për të garantuar pavarësinë dhe neutralitetin e institucionit fetar në raport me çështjet politike dhe publike, duke ruajtur besimin e qytetarëve në BIK.