Lideri i Hayat Tahrir al-Sham (HTS) në Siri, Ahmed al-Shar’a (Abu Muhammad al-Julani) tha se nuk do të lënë të lirë ata që janë përfshirë në krimet e luftës në vend, transmeton Anadolu.
Në deklaratën me shkrim nga Dhoma e operacioneve të udhëhequr nga HTS, Shar’a tha: “Ne jemi të vendosur të sigurojmë që zyrtarët e sigurisë dhe ushtrisë si dhe kriminelët dhe vrasësit që torturuan popullin sirian, të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë”.
“Ne nuk do të heqim dorë nga ndjekja e kriminelëve të luftës. Ne do t’i ndjekim këta kriminelë edhe në vendet ku kanë ikur dhe do të sigurojmë që ata të marrin dënimin që meritojnë. Së shpejti do të shpallim listën e parë me emrat e nivelit të lartë të autorëve që torturuan popullin sirian”, deklaroi Shar’a.
Ai tha se do të shpërblehen ata që japin informacione për kriminelët e luftës. Shar’a potencoi gjithashtu se kanë nxjerrë amnisti për ushtarët e regjimit të përmbysur Baath.