Bashkimi Demokratik për Integrim mbrëmjen e kaluar pati një mbledhje të kryesisë së ngushtë, që siç kanë bërë të ditur, është diskutuar për seancën e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Gjuhët që do të mbahet më 11 dhjetor, përcjell TV21. BDI thotë se këto veprime janë pjesë e një fushate të orkestruar nga qeveria që BDI e quan jolegjitime dhe shtoi se, këto përbëjnë kërcënim serioz për stabilitetin e vendit. Në këtë takim u mor vendim që të hënën të thirret organi më i lartë i parties që siç thonë, për të marrë vendime mbi hapat e mëtejshëm dhe për të përcaktuar masat konkrete për të parandaluar përpjekjet e qeverisë për të destabilizuar vendin.
“Mbrëmë, Kryesia e Ngushtë e Bashkimit Demokratik për Integrim u mblodh për të vlerësuar situatën shqetësuese të krijuar nga seanca e planifikuar e Gjykatës Kushtetuese në 11 Dhjetor , që synon të shfuqizojë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe, nëpërmjet kësaj, të çmontojë Marrëveshjen Paqësore të Ohrit dhe paqen që ajo ka ndërtuar.
Kryesia e Ngushtë vlerëson se këto veprime janë pjesë e një fushate të orkestruar nga qeveria jolegjitime dhe përbëjnë kërcënim serioz për stabilitetin e vendit dhe harmoninë ndëretnike. Përballë kësaj situate të papranueshme, Kryesia e Ngushtë vendosi që të thërrasë organin më të lartë të partisë të hënën, për të marrë vendime mbi hapat e mëtejshëm dhe për të përcaktuar masat konkrete për të parandaluar përpjekjet e qeverisë për të destabilizuar vendin.
Njëkohësisht, edhe një herë i bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë plan monstruoz dhe jashtëzakonisht të rrezikshëm të ndalin këtë çmenduri, pasi pasojat do të jenë të paimagjinueshme.
BDI mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe të gjitha arritjeve që garantojnë barazinë dhe paqen në Maqedoninë e Veriut. Në këto momente vendimtare, i bëjmë thirrje gjithë qytetarëve dhe faktorëve ndërkombëtarë të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të paqes dhe stabilitetit”, thotë BDI