Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar një 35-vjeçar nga Kumanova, i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme të tre veturave dhe një objekti afarist.
Prej tyre sipas njoftimeve zyrtare, njëra veturë ka qenë e prokurorit publik Xhelal Bajramit, ndërsa objekti i kryetarit të Këshillit të Kumanovës Fitor Jakupit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, F.A. u arrestua sot (5 dhjetor 2024) në orën 01:10 në rajonin e Bit Pazarit në Shkup.
Arrestimi u krye nga Njësia e Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup, pas marrjes së informatave operative dhe koordinimit mes SPB Kumanovë, Departamentit të Policisë Kriminale dhe SPB Shkup.
F.A. dyshohet se më 2 dhjetor 2024 ka djegur qëllimisht tre automjete dhe një objekt afarist në Kumanovë. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në Stacionin Policor të Kumanovës.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të dyshuarit pritet të ngrihet kallëzim penal.