Lideri i Alternativës, Dr.Zeqirija Ibrahimi gjatë takimit të tij me struktura dhe aktivist në Tetovë mes tjerash ka komentuar edhe vizitën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti në Turqi.
“Meqë e pash se kryetari i BDI-së ishte në vizitë në Stamboll, më bëri përshtypje që nga Tetova sonte të pyes a u ka treguar ai atyre të Turqisë se çka fliste ai për Alternativën në të kaluarën? A u ka thënë atyre se ne ishim partia erdoganiste e lidhur me Turqinë? A u ka thënë atyre se cili ka qenë bashkëpunimi i tij me të gjitha forcat anti-turke në vendin tonë?”, pyeti Ibrahimi.
Ibrahimi përmes pyetjeve retorike bëri me dije se Ali Ahmeti ishte politikani kryesor në Maqedoninë e Veriut i cili ka penguar çdo lloj investimi në vendin tonë.
“A u ka thënë atyre se ai ka qenë politikani i cili e ka penguar çdo investim të Turqisë në vendin tonë? A u ka treguar atje se ai ka qenë mbështetësi më i madh i organizatave të cilat shteti turk i quan terroriste? A u ka treguar atyre atje se ai është përkrahësi më i madh I organizatave liberale të cilat janë në agjendën anti-familje? “, pyeti Ibrahimi dhe shtoi se Turqinë e kemi aleat edhe si shtet edhe si komb.
“Nuk shkohet në Turqi vetëmse kur je në opozitë që të qahesh atje. Ne e kemi Turqinë aleat edhe si shtet, edhe si komb, edhe si shqiptarë të vendit tonë. I dimë limitet se për çfarë arsye duhet të komunikojmë dhe bashkëpunojmë dhe nuk jemi hipokrit që vetëm kur jemi në opozitë të
shkojmë për vizita në Stamboll”, përfundoi Ibrahimi.
Zeqirija Ibrahimi: Ali Ahmeti a i ka treguar atyre në Stamboll për bashkëpunimin e tij me forcat anti-turke në vendin tonë?

Ndani këtë artikull