Ministria e Financave ka dhënë pëlqim për punësime në çerdhet e komunës së Haraçinës dhe Likovës.
Këtë e bëri të ditur kryeministri Hristijan Mickoski, i cili nuk dha detaje më të hollësishme se për sa punësime bëhet fjalë, shkruan Alsat.
Përveç kësaj, Mickoski tha se me vendim të qeverisë kanë zgjidhur problemin e edukatorëve dhe punonjëseve për provimet për licencë.
“Janë dhënë pëlqime për punësim nga ana e Ministrisë së Financave në komunën e Haraçinës dhe në komunën e Likovës. Ajo që është më me rëndësi, është tejkaluar problemi rreth dhënies së provimit, që ishte problem akut për 100 edukatorë dhe punonjëse, të cilat nuk kanë mundur të pajisen me licenca në mënyrë që të punësohen. Me vendim të Qeverisë, është vazhduar mënyra e vjetër e dhënies së provimit deri në fund të vitit 2025, dhe ky problem është tejkaluar”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Objektet e çerdheve në Likovë dhe Haraçinë tani më disa muaj kanë qenë gati për t’i pranuar fëmijët, por nuk kanë funksionuar pasi nuk ka pasur pëlqim për punësimin e stafit.
Në çerdhen e Haraçinës “Fatosat” pritet të sistemohen 115 fëmijë pavarësisht që lista e pritjes tejkalon këtë numër.
Gjithashtu, edhe në çerdhen e Likovës “Valbona 2001” pritet të sistemohen 115 fëmijë të ndarë në 6 grupe.
Kjo e fundit ka edhe kuzhinën distributive që do të shërbejë për çerdhen “Rrezja“ në fshatin Orizare dhe një çerdhe tjetër që planifikohet të ndërtohet mes fshatit Llojan dhe Vaksincë./ Alsat.mk