Parregullsi në inventarizimin e furnizimeve me barna dhe mënyrën e menaxhimit të barnave nga punonjësit e Klinikës, kanë konstatuar revizorët në raportin për punën e Klinikës Universitare të Radioterapisë dhe Onkologjisë për vitin 2023. Revizorët theksojnë se evidencat për pranimin dhe shpërndarjen e barnave nga barnatorja në repartet e Klinikës bëhen me vonesë, dhe të dhënat për vlerën e barnave që klinika ka marrë me donacione nuk janë futur fare në evidencën financiare.
“Gjatë vitit 2023 Klinika ka pranuar barna në vlerë prej 33 milionë denarësh në bazë të donacioneve, por këto të dhëna fare nuk janë futur në evidencën financiare”, njoftojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR).
Përveç parregullsive të konstatuara, revizorët në raport përmbahen nga mendimi lidhur me vërtetësinë e raporteve financiare të Klinikës, sepse Prokuroria tashmë është duke zhvilluar hetime për menaxhimin dhe dhënien e barnave. Bëhet fjalë për skandalin e madh që shpërtheu në Onkologji, kur u zbulua se në Klinikë ishte krijuar rrjet kriminal për rishitjen e barnave të shtrenjta për të sëmurët nga kanceri. Në këtë raport, sa i përket terapisë biologjike për pacientët me kancer, pohohet se vetëm 24 për qind e pacientëve e kanë marrë atë vitin e kaluar.
“Kompensimi i kushtëzuar i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë nuk mjafton për të përfshirë të gjithë pacientët që sipas indikacioneve mjekësore mund ta marrin terapinë. Nga të dhënat e marra, pacientët që marrin terapi në spital ditor, numri i të cilëve në vitin 2023 është 54,423, përcaktuam se vetëm 24% janë të lidhur me terapi biologjike”, thonë nga ESHR-ja.
Sa u përket pajisjeve të klinikës, revizorët bëjnë me dije se ajo ka tre akseleratorë linear që shërbejnë nga 180 deri në 200 pacientë në ditë në fushën e radioterapisë, por edhe se ka edhe dy të tjerë të tillë që nuk përdoren fare.
“Akseleratori i parë është blerë në vitin 2014 dhe kap vlerën prej 2 milionë e 900 mijë denarë dhe pritet të vihet në funksion deri në fund të vitit. Akseleratori tjetër është pranuar përmes donacioneve në vitin 2016 në vlerë prej një milion e 715 mijë denarë, mbahet i pa paketuar në një depo doganore për të cilën paguhen 189 mijë denarë në vit”, thuhet në raportin e ESHR-së.
Ende nuk është në funksion edhe njësia për përgatitjen qendrore të terapisë me citostatikë, gjegjësisht sistemi KATO, për blerjen e së cilës janë shpenzuar 162 mijë euro. Revizorët gjithashtu theksojnë se numri i pacientëve në Klinikë është në rritje të vazhdueshme. Numri prej 35 mjekëve dhe 96 personave të personelit mjekësor në vitin 2023 ishte larg të mjaftueshmes për të plotësuar nevojat e pacientëve. Në rastin e keqpërdorimit me barnat në Klinikën e Onkologjisë dyshohen dy ish-drejtorë dhe tre mjekë, ndërsa hetimet e prokurorisë janë ende në vazhdim. /Alsat.mk