Nga koalicioni VLEN, kanë njoftuar se kryetarët e komunave të koalicionit VLEN, së bashku kryetarët e këshillave komunalë dhe akademikët kanë organizuar një takim punues në Tetovë, me temë financimin vjetor të projekteve të rëndësishme për avancimin e mendimit intelektual dhe shkencor të shqiptarëve.
“Krijimi i Akademisë Shqiptare është i domosdoshëm për shkak të plogështisë së ASHAM-it për reforma që duhet të pasqyrojnë gjendjen faktike, e që nuk janë duke u realizuar tashmë për 57 vjet.
Ky projekt ekskluzivisht shkencor i VLEN-it nuk ka për qëllim të shkaktojë tensione etnike ose paralelizma në nomenklaturën arsimore shtetërore, por ka për qëllim të krijojë një institucion tjetër shkencor që do të bashkojë mendimin autentik shqiptar në një zhvillim të përbashkët dhe të barabartë shoqëror.
Ky projekt reflekton vizionin tonë për forcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve në fushat më strategjike – shkencë dhe art.
Akademia, me seli në Tetovë, do të krijojë mundësi të reja për studiuesit dhe artistët shqiptarë që të kontribuojnë me kërkime cilësore dhe të ruajnë trashëgiminë tonë kulturore.
Jemi të bindur se kjo nismë do të jetë një shtytje për cilësinë e arsimit dhe për zhvillimin e një komuniteti të fortë intelektual.
Hapat e parë për financimin e Akademisë janë tashmë ndërmarrë me ndihmën e komunave tona me të cilat udhëheqin kuadrot e VLEN-it, të cilat e mbështesin këtë projekt dhe që po kontribuojnë për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për kërkimet dhe zhvillimet e ardhshme.
Ne besojmë fuqimisht se Akademia Shqiptare për Shkencë dhe Art do të luajë një rol kyç në forcimin e identitetit tonë kombëtar dhe në rritjen e kontributit tonë ndërkombëtar në fushën e shkencës dhe artit. Si koalicion VLEN, ne kemi treguar se jemi këtu për të sjellë ndryshime të prekshme dhe reale.
Përmes këtij projekti, ne nuk po ndërtojmë vetëm një institucion, por një të ardhme të re për të gjithë të rinjtë dhe intelektualët shqiptarë.
Angazhimi jonë si koalicion VLEN është maksimal, dhe së bashku do ta çojmë këtë projekt përpara me seriozitetin që meriton. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje ku shkenca, arti dhe mendimi i lirë do të jenë shtyllat e zhvillimit tonë kombëtar”, thuhet në njoftimin e koalicionit VLEN.