Konferenca e Frontit Evropian për 100 ditët e Qeverisë ka dëshmuar edhe për largimet e para të subjekteve politike nga ky Front.
Ashtu edhe siç përflitej në media, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi nuk mori pjesë në këtë takim, me çka edhe u konfirmuan zërat se ai dhe PDSH largohen nga fronti i Ahmetit.
Përpos PDSH-së së Menduh Thaçit, në konferencën nuk u pa as edhe kryetarja e Lidhjes së Romëve, Fatima Osmanovska.
Si duket, Osmanovska dhe bashkëshorti i saj Kurto Dudush, i cili është edhe kryetar i komunës së Shutkës, nuk kanë mundur të përballojnë qëndrimin në opozitë andaj edhe janë larguar nga Fronti Evropian.
Në media, përpos këtyre, përflitet se edhe disa deputetë tjerë janë të pakënaqur nga funksionimi i Frontit Evropian dhe se së shpejti do të largohen nga Fronti.