Barcelona ka fituar me rezultat të thellë 5-1 në udhëtim ndaj Villarrealit në kuadër të javës së gjashtë në La Liga.
Pjesa e parë u karakterizua me shumë raste për gol si për vendasit ashtu edhe për mysafirët megjithatë, blaugranasit ishin më të mirë në finalizim të aksioneve.
Golin e epërsisë Barcelonës ia dha Robert Lewandowski (20’) i cili pranoi një pasim mjaft të bukur nga Pablo Torre për 1-0.
Ayoze Perez (29’) pati një mundësi të mirë shënimi, por gjuajtja e tij me kokë përfundoi mbi traversën e Ter Stegen.
Blaugranasit gjetën golin sërish edhe kësaj radhe me Lewandowskin (35’) i cili u gjend mirë në zonë për të shënuar për 2-0.
Perez ishte ai që ngushtoi shifrat duke realizuar për 2-1 në minutën e 38-të pas asistimit të Nicolas Pepes.
Në pjesën e dytë Barcelona tregoi dhëmbët duke shënuar edhe tre gola të tjerë për të marrë fitoren e gjashtë radhazi në kampionat.
Pablo Torre (58’) me një gjuajtje precize në cepin e portës shënoi për 3-1 ndërsa dy golat e tjerë i shënoi Raphinha fillimisht në minutën e 75-të dhe pastaj në minutën e 84-të.
Pas javës së gjashtë Barcelona mbetet lider në La Liga me 18 pikë, katër më shumë se rivali Real Madridi që ka 14 sosh në pozitën e dytë.