Një operacion i suksesshëm që zgjati 14 orë finalizoi ndarjen e një çifti binjakesh të bashkuara në pjesën e kokës.
Kirurgu Noor ul Owase Jeelan përdori teknologjinë e realitetit të përzier për të realizuar ndërhyrjen e vështirë te binjaket Minal dhe Mirha. Operacioni u krye në Turqi nga kirurgu britanik i spitalit Great Ormond Street.
Binjaket ndodhen ende në spital dhe pritet që të rikuperohen plotësisht dhe të vijojnë jetën normalisht kur të kthehen muajin e ardhshëm në Pakistan.
Ndërhyrja u krye më 19 korrik dhe përfshiu një ekip të tërë mjekësh, u deshën dy faza kirurgjikale dhe përfundoi pas tre muajsh me operacionin final që zgjati 14 orë.
Binjaket pakistaneze ishin të ngjitura në kokë dhe ndanin të njëjtat enë gjaku e inde dhe si rrjedhojë ndarja e tyre kërkonte kirurgji mikroskopike.
Teknologjia e realitetit të përzier kombinon imazhet 3D me botën reale dhe përdoret për të rritur saktësinë në operacionet komplekse. Kirurgu mund të shohë më mirë gjendjen e pacientit sepse teknologjia kombinon përmbajtjen dixhitale si skanerët 3D dhe njëkohësisht mbetet në botën fizike.
Për binjaket u krijua një model 3D i rezolucionit të lartë për të trajnuar mjekët në Ankara për atë që do t’i priste në sallën e operacionit dhe njëkohësisht, ekipi i mjekëve britanikë mund të përgatitej për ndërhyrjen.
Sipas Gemini, 1 në 60.000 lindje rezultojnë në binjakë siamezë dhe vetëm 5% e tyre rezultojnë në kokë. Jetëgjatësia e tyre në atë gjendje është shumë e ulët. Rreth 40% e binjakëve të bashkuar në kokë ndërrojnë jetë që në bark ose gjatë lindjes./tvklan.al