Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka bërë një deklaratë tejet të diskutueshme për mediat e Kosovës, duke pretenduar se Serbia do të vazhdojë t’i mbajë nën presion ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Serbia do të vazhdojë t’i mbajë në presion të gjithë ushtarët e UÇK-së, aktivistët, listat janë plot e përplot”, theksoi Ahmeti.
Ky paralajmërim i tij ka ngritur pikëpyetje të mëdha mes njohësve të çështjeve të sigurisë. Pse tani? Pse Ahmeti zgjodhi këtë moment për të bërë deklarata që duken si një sinjalizim i zhvillimeve të ardhshme nga Serbia, në një kohë kur kjo e fundit ka dhënë ultimatum ndaj Kosovës? Pyetja kryesore që shtrojnë shumë ekspertë është: prej nga e di Ahmeti për këto presione dhe arrestime të mundshme? A është kjo një përgatitje për ngjarje që do të pasojnë?
Rasti i fundit me ish-ushtarin e UÇK-së, Blerim Ramadani, ka ngritur shumë pikëpyetje dhe shqetësime, duke përfshirë edhe atë që ka të bëjë me instalime të strukturave brenda BDI-së. Disa burime sugjerojnë se këto struktura, me qëllim që ta paraqesin koalicionin VLEN si të pafuqishëm, kanë tentuar të ndërmarrin hapa që të ekstradojnë Ramadanin edhe në Serbi.
Kujtojmë se Ahmeti është një nga themeluesit kryesorë të projektit Ballkani i Hapur – një nismë e kritikuar gjerësisht nga Kosova si një projekt serbo-rus, të cilin autoritetet kosovare e refuzuan kategorikisht. Ndërkohë, vetë Ahmeti dhe ish-ministri i Jashtëm Bujar Osmani nuk ngurruan të mbështesin këtë nismë, duke zhvilluar disa takime të ngrohta me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Kosova për distancim nga kjo nismë.