Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler në një intervistë për TV Sitel ka folur për zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut, duke u ndalur në temat aktuale të zërave për destabilizim, shkallën shqetësuese të korrupsionit , listën e zezë amerikane dhe çështjen e emrit, etj, përcjell INA.
“Si vend mik i juaji ende ka shumë punë për të bërë pas 33 viteve të pavarësisë. Ka një Qeveri të re dhe besoj se anëtarët e kësaj Qeverie, kryeministri dhe ministrat e kanë të qartë se përparimi duhet të vazhdoj për shumë çështje. Pikërisht për këtë i kanë zgjedhur qytetarët e këtij vendi dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që të jenë të përkushtuar në ato qëllime”, theksoi ambasadorja Ageler, duke vlerësuar Maqedoninë e Veriut si anëtare e NATO-s dhe vend aleat i vlerësuar i SHBA-ve.
E pyetur për debatet dhe zërat për destabilizim edhe pse kemi të bëjmë me një vend të NATO-s, Ageler shtoi se fokusi duhet të jetë tek mbështetja e masave dhe reformave që forcojnë stabilitetin.
“Dje ishte 11 shtatori dhe si amerikane dhe si njerëz të botës demokratike rikujtuam se në këtë botë ka edhe nga ata që na duan të keqen. Këtë e pamë para 23 viteve në Nju Jork dhe Pensilvani dhe kjo çoi në një fokusim më të thellë për destabilizimin, rreziqet nga forcat e jashtme, dhe nuk duhet të shohim më larg nga horrori rus dhe invazioni ilegal ndaj Ukrainës, se sërish ka të tillë që nuk ia duan të mirën demokracisë. Detyra jonë është të bëjmë çfarë mundemi të mbështetësim masat dhe reformat që do të sjellin dhe forcojnë stabilitetin, jo vetëm këtu në vendin tuaj, por edhe në rajon dhe botë”, theksoi Ageler.
Ajo nënvizoi se është e shqetësuar për shkallën e lartë të korrupsionit dhe se këtë e ka dëgjuar nga qytetarët. Sipas saj, shqetësues është korrupsioni si një kancer i shoqërisë, por edhe gjendja e gjyqësorit. Ambasadorja Ageler amerikan theksoi nevojën e fokusimit dhe forcimit të ekonomisë, duke hapur mundësi për të rinjtë, për të mos braktisur vendin e tyre të bukur.
Duke folur për “Listën e zezë”, ambasadorja amerikane Ageler theksoi se ajo është plotësisht funksionale.
“Mund të ju premtoj se së shpejti kisha një bisedë me kolegët në Uashington dhe ishte shumë bisedë dinamike dhe një listë me emra. Ka shumë raste që po shqyrtohen dhe ky është një proces që çdo herë kur ka ndonjë përparim jemi të informuar nga Uashingtoni. Siç kam thënë ky është një proces shumë i bazuar dhe sigurisht mund të ju them se shumë emra janë në verifikim”, deklaroi diplomatja e parë amerikane në Shkup, Angela Ageler. (INA)