Kryetari i Degës së BDI-së në Çair, Bekim Neziri do të jetë koordinator i Degëve të Shkupit, konkretisht i degëve të Zonës zgjedhore 1 dhe 2, por që mbulojnë vetëm territorin e Shkupit dhe rrethinës së saj.
Emërimi i Nezirit për koordinator të Degëve në Shkup ka ndodhur sot, në mbledhjen e kryetarëve të Degëve të BDI-së në Shkup dhe me deputetët e Zonës 1 dhe 2, ndërsa u themelua organi i ri “Bashkimi i Degëve të Shkupit”.
Ky organ, që në Kongresin e fundit të BDI-së ishte themeluar, por që deri më tani nuk kishte nis zbatimin. Organi i Degëve të Shkupit, sipas statusit të partisë, do të koordinojë aktivitetet dhe politikat e përbashkëta të Degëve të Shkupit, si dhe do të riorganizohen strukturat me rastin e zgjedhjeve lokale që duhet të mbahen vitin e ardhshëm.
Në Degët e Shkupit, pos Degës së Çairit, bën pjesë edhe Dega e Butelit, e Shuto Orizares, e Sarajit, e Studeniçanit, e Hasanbegut, e Nerezit, e Petrovecit, e Çuçer Sandevës, e Haraçinës… Të gjitha këto degë në zgjedhjet e fundit grumbulluan rreth 40 mijë vota, apo 30 për qind nga votat e përgjithshme të Frontit Europian. (koha.mk)