Shkup, 27 gusht – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot do të mbajë takim joformal me përfaqësues të mediave, në të cilin, siç është paralajmëruar, do të diskutohet për aktivitetet aktuale dhe të ardhshme të Kuvendit.
Ndërkohë nuk ndalen korrespondenca partiake për interpelancën e tij, e cila është vendosur në rend të ditës për seancën e 13-të plenare të caktuar për më 3 shtator të këtij viti, të dorëzuar nga grupi parlamentar “E Majta”.
Përderisa VMRO-DPMNE thotë se nuk do të mbështesë interpelancën, ndërsa LSDM-ja për të do të ndërtojë qëndrim partiak gjatë javës, Arben Taravari nga Koalicioni “Vlen” “nuk beson se interpelanca do të kalojë”.
Taravari mendon se interpelanca për punën e kryetarit të Kuvendit do të jetë e pasuksesshme, por thotë se sërish do të jetë mundësi që opozita të bëjë spektakël.
“Partitë më të mëdha që janë në koalicion, ato që janë në Qeveri, në shumicë nuk do ta votojnë. Do të jetë e pasuksesshme, por do të ketë mundësi për spektakël nga ata që janë në opozitë”, tha Taravari në pyetjen e një gazetari pas inspektimit të punimeve ndërtimore të klubit të parë social për adoleshentët dhe të rriturit me spektër autik në Gjorçe Petrov.
Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër Hristijan Mickoski thotë se nuk do ta përkrahin interpelancën e Gashit. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vënies së gurthemelit për ndërtimin e tregut të qytetit në Negotinë, ai tha se partia nuk sheh arsye për interpelancë të kryeparlamentarit Gashi.
“Mënyra se si sillet si kryetar në Kuvend, si i udhëheq seancat dhe gjithçka që ndodh atje paraqet sjellje seriozisht të ndryshme nga ajo që ka bërë paraardhësi i tij”, tha Mickoski.
Sipas tij, koalicioni LSDM-BDI-E Majta ka motive të veta për paraqitjen e një interpelance të tillë.
Lidhur me atë nëse LSDM-ja do ta përkrahë interpelancën e kryetarit të Kuvendit, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe dje tha se gjatë kësaj jave do të koordinohen me grupin parlamentar dhe do të marrin qëndrim.
Sipas Filipçes, pyetja kryesore është se pse VMRO DPMNE nuk fillon procedurë për zëvendësimin e Gashit në kontekstin e të gjitha njoftimeve dhe deklaratave të partisë në pushtet për punën e përgjegjshme të çdo zyrtari që emërohet në pozitë përgjegjëse.
“Çdo ditë dëgjojmë se si kryeministri flet për përgjegjësi, për punë të përgjegjshme, ndërsa MPB-ja ka zbuluar dhe ka nxjerrë në një dokument me shkrim sjelljen e pahijshme dhe sjelljen e paligjshme të kryetarit të Kuvendit. Me këtë ra në ujë premtimi i VMRO DPMNE-së për qeverisje të përgjegjshme”, ka thënë Filipçe.